Taulant Xhaka është zgjedhur njeriu i ndeshjes CSKA Moskë-Basel, që përfundoi me rezulatin 0-2, ku golin e parë e shënoi vetë (i pari në Champions League), ndërsa në të dytin dha asist. Ai është vlerësuar me notën 7 nga mediat italiane. Mesfushori i Kombëtares thotë se do t’i lejojë vetes një ose dy birra për këtë gol dhe mbi të gjitha për fitoren.
“Në Moskë është e vështirë të luash, por ne ishim stërvitur mirë dhe e kishim përgatitur shumë seriozisht këtë ndeshje. Është një rezultat shumë i mirë për vetëbesimin dhe për rrugëtimin tonë në Ligën e Kampionëve. Uroj të gjithë skuadrën për ndeshjen që bëri. Festa? Ndoshta do të pi një ose dy birra. Kaq mund t’i lejoj vetes”, – ka thënë Taulant Xhaka pas ndeshjes.
Pikërisht për paraqitjen fantastike të një nate më parë, mesfushori shqiptar është bërë pjesë e formacionit më të mirë të lojës së UEFA-s, “Fantasy Football”. Të gjithë lojtarët që e kanë pasur pjesë të ekipit të tyre Xhakën, kanë përfituar plot 10 pikë. Në sistemin e publikuar nga UEFA, më mirë se mesfushori i Basel, janë Firmino me 13 pikë, Coutinho me 14 pikë, si dhe talenti i Spartakut të Moskës, Promes.