Thomas Strakosha është një prej personazheve kryesore të javëve të fundit në Itali falë paraqitjeve me Lacion. Por në skenë së fundmi, përkrah tij, ka dale edhe një nga personat që ka shumë meritë në rritjen e këtij talenti të shkëlqyer të portës, babai i tij, Foto.
Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, në një intervistë të gjatë për gianlucadimarzio.com ka treguar se si ndjehet ai kur sheh të birin të paraqitet në këto nivele, etapat e karrierës së portierit të ri dhe ëndrrat që ka ai për të ardhmen.
Krenaria që ndjen kur e sheh në këto nivele
“Jam i lumtur siç mund të jetë çdo baba për birin e tij. Më bën krenar fakti se po bën shumë mirë punën e tij. Mendjemadhësi? Nuk shoh asnjë problem dhe asnjë rrezik, e njoh shumë mirë dhe kam besim te karakteri i tij”.
Ndikimi që kishte te i biri që i vogël
“Që i vogël mendoj se frymëzohej duke më parë të luaja, fakti që isha një portier me siguri e ka kushtëzuar në zgjedhjen për t’u bërë edhe ai i tillë. Shpresoj t’i kem dhënë impulsin pozitiv për të arritur në nivelet më të larta të këtij sporti. Idhulli tjetër? Ishte Bufon”.
Vendimi për të shkuar te Lacio
“Para se të firmoste me Lacion kishte interes edhe nga një klub tjetër, Fullhemi. Jo vetëm ai, edhe Roma e dëshironte, kemi menduar gjatë atë që do bënim dhe në fund ishte një zgjedhje mes Romës dhe Lacios. Në fund zgjodhëm Lacion. Igli Tare ka ndikuar shumë te zgjedhja jonë, na ka bindur me projektin dhe çdo gjë që na prezantoi, aq sa tani Igli dhe Thomas kanë një raport perfekt”.
Përgatitjet te klubi nën urdhërat e Adalberto Grixhionit
“Me Grixhionin jam i qetë pasi është një profesionist i jashtëzakonshëm dhe ka pasur gjithmonë një raport të veçantë me Thomas”.
Vështirësitë dhe dështimi te Salernitana
“Ishte normale që do të përballej me vështirësi. Një vend i ri, një gjuhë e re, shokë të rinj por sidomos filloi të ndjente largësinë nga shtëpia. Por ju siguroj se këto vështirësi e kanë ndihmuar që të rritet”.
Konkurrenca me Etrit Berishën
“Çdo konkurrencë bën mirë, është një stimul për t’u bërë edhe më i fortë. Detyra e Thomas është që paraqitet mirë me klubin, pastaj në Kombëtare do të vednosë trajenri dhe zgjedhjet e tij duhen respektuar”.
Rëndësia e De Biazit dhe e ardhmja me Panuçin
“Po është e vërtetë, Thomas e thotë gjithmonë se sa i rëndësishëm ka qenë De Biazi për Shqipërinë. Ai i dha mundësinë që të luante dhe debutonte me Kombëtaren e madhe. Por në të vërtetë është një njeri i rëndësishëm për të gjithë atë që ka bërë për Kombëtaren shqiptare. Panuçi ka nevojë për kohë ashtu si çdo trajner tjetër. Unë uroj që të shkojë gjithçka mirë”.
Rekordi që mban Foto Strakosha si portieri me më shumë ndeshje me Kombëtaren shqiptare
“Nëse djali im do ta thyente, jo vetëm do të më kënaqte e bënte të lumtur, por edhe do të më bënte më shumë krenar për të”.
Lacio dhe rëndësia e Inzagit
“Më pëlqen Lacio, futbolli që ofron, grupi i lojtarëve. Mendoj se është në rrugën e duhur për të shkuar sa më lart. Pastaj ka një trajner që arrin të marrë maksimumin nga skuadra e tij. Sipas meje, Simone Inzagi është shumë i aftë. E lexon në mënyrë perfekte kundërshtarin dhe përgatit skuadrën e tij në mënyrë të jashtëzakonshme. E dini, Thomas shpesh më thotë se Inzagi, me besimin që i ka dhënë, i ka ndryshuar karrierën dhe si rrjedhojë jetën”.
Sugjerimi te penalltia e pritur ndaj Dibala
“Është e vërtetë që ne flasim për shumë gjëra, edhe për elementë që i përkasin profesionit tonë. Në veçanti diskutojmë mbi pozicionin që duhet të mbajë një portier në disa episode tëveçanta. Ajo pritje kishte një peshë të jashtëzakonshme për Thomas, por gjëja më e rëndësishme është që i mundësoi Lacios të ruante tri pikët kur mbeteshin pak minuta nga fundi”.
Objektivat dhe ëndrrat e familjes Strakosha
“Djali im ka një rrugë të gjatë përpara dhe punon çdo ditë për të bërë edhe më mirë, e mira nuk ka fund. Thomas është në një skuadër të madhe. Unë uroj që të bëjë sa më mirë kudo që të luajë. Nga ajo që kam kuptuar unë, dëshiron të bëhet më i forti nga të gjithë dhe të fitojë trofe me klubin dhe me Kombëtaren. Ëndrra ime? Që Zoti t’i dhurojë shëndet dhe që të vazhdojë kështu, me seriozitet dhe përkushtim. Unë uroj ta shoh gjithmonë të lumtur. Dhe të shoh të realizuara të gjitha ëndrrat e tij”.
Burre I mencur Foto Strakosha. Dardha nen dardhe do te bjere. Edhe Tomasi nuk ka se kujt tjeter ti ngjaje. Suksese djalit tone dhe gjithe djemve te tjere te kombetares