Skandaloze/Jemini demaskon lidhjen e arbitrave me Dukën

25 Tetor 2017, 15:52Sport TEMA

Ish-gjyqtari Lorenc Jemini, në një intervistë për “Panorama Sport”, ku flet për çështjen e dënimit apo pezullimit të tij, nxjerr në pah edhe një skandal më vete të mënyrës së funksionimit të futbollit në Shqipëri. Një skandal i përmasave të mëdha.

Gjatë intervistës Jemini sqaron bisedën që ka pasur me presidentin e FSHF-së, Armand Dukën, ku shprehet: “Jam takuar kalimthi me presidentin Duka dhe u përpoqa të bisedoja me të, ta pyesja çfarë po ndodhte, por mora një përgjigje evazive: Hajde se ti këtu je. Je pjesë e gjyqtarëve, do të kemi kohë në të ardhmen”. Jemini po ashtu bën të ditur se nga komisioni i gjyqtarëve në FSHF nuk i është dhënë asnjë motiv në lidhje me pezullimin e tij.

Po pse duhej të shkonte Jemini te Duka për sqarim? Çfarë lidhje ka presidenti një federate të sqarojë një arbitër, kur ka një komision përkatës për këtë sektor? Si ka mundësi që askush nga komisioni i arbitrave nuk i jepte asnjë sqarim?

Atëherë i bie që ka një lidhje direkte mes arbitrave dhe Dukës, kur nuk është aspak normale, madje është një situatë skandaloze. Eshtë njësoj sikur një Gjyqtar i Tiranës të shkojë dhe të ankohet te Kryeministri Edi Rama, kur në fakt është Gjykata e Tiranës për këtë punë. I bie që çdo arbitër në Shqipëri shkon dhe raporton apo ankohet te presidenti i FSHF-së, pasi komisioni përkatës i saj është “kukull”. Në futbollin profesionist është diçka e paimagjinueshme.

Sistemi i futbollit në Shqipëri është i kalbur nga rrënjët dhe kjo lidhje direkte e arbitrave, e atyre që vënë drejtësi në ndeshje, me kreun e FSHF-së, është vërtet e frikshme…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje