Më 28 gusht të vitit 2015, gjatë një reportazhi që përgatiti “Gazeta Shqiptare”, në burgun e Fushë-Krujës, takoi në bibliotekën e burgut Gentian Dodën, emër i cili është lakuar bujshëm së fundmi pas përgjimeve që çuan në arrestimin e gjykatësit Shkëlqim Miri.
Këtij të fundit iu gjetën në shtëpi 300 milionë lekë, që sipas përgjimeve të policisë, janë ryshfete të marra nga puna e tij.
Sipas akuzës, më 23 maj 2017 gjyqtari Miri ka marrë një zarf me 30 mijë euro, ndërkohë që kjo përkon me kohën kur kushëriri i tij, Kujtim Miri ishte në lokal me personat e dërguar nga Gentian Doda.
Pjesë nga reportazhi
Nuk qëndrojmë shumë në atë që duket se ka marrë emrin “sektori i shkodranëve”. Zbresim në sektorin 1 të katit të parë. Pa frikë mund ta quajmë sektori “VIP”. I pari që takojmë është Gentian Doda, pasi qelia e tij është e para nga e djathta në hyrje. Poshtë dritares së tij vërej që janë mbjellë luleshtrydhe, një detaj që kapet nga një sy i kujdesshëm, por jo se ka në vetvete ndonjë kuptim. Genti pikturon. Fort bukur madje! Pikturat e tij do të jenë pjesë e një ekspozite, që do hapet në kuadër të projektit “PRAG” të qendrës kulturore M.A.M. Indrit Dokle, adhurues i Kipling, është fort i interesuar të flasë me Mustafajn për librin. Biseda zgjat pak, por me tone të forta humori.
“Dhjetë vite m’u deshën, por ja që ia dola”, thotë Lulzim Berisha, duke nënkuptuar se e bindi drejtësinë t’i heqë dënimin e përjetshëm. “Por, s’ka përfunduar këtu. Beteja ime do të vazhdojë. Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Nuk ndalem, derisa të marr pafajësinë”, thotë ai. E këtu, nuk ka sesi të mungojnë dhe batutat. “Ç’ka heq Sali Berisha, se të trajtonin si kushëri i tij. Sa herë më është dashur të sqaroj të huaj se nuk kishte lidhje me ju”, i tha ish-ministri i Jashtëm i qeverisë “Berisha”, Lulzim Berishës, njeriut që prokuroria e cilësoi si kreu i “Bandës së Durrësit” dhe që përfundimisht po vuan një dënim me 25 vite burg. “Unë e kam dasht, – u përgjigj me të qeshur Berisha, – po dhe kam vuajtur shumë nga ky mbiemër.”
Marjan Rroku, një tjetër i dënuar shfaqet me një qetësi olimpike. Ka jetuar në arrati për afro nëntë vite e fill pas ekstradimit nga Amerika, ka hapur një front të ri përballjeje me drejtësinë, ndonëse besimi i tij është i lëkundur. Përballja me Ema Andrean pas shumë vitesh “emigrant” në vendin e tij e gjen paksa të papërgatitur. “Mos keni luajtur gjë filma?” i thotë me shumë mirësjellje Marjani aktores. Po-ja e Emës vjen me mirësjellje. Ish-punonjës i SHIK-ut, dikur student ekselence në Fizikë, sot shpreson fort, që Gjykata e Lartë ta rihapë çështjen e tij, të dëgjojë drejtësia çfarë ai ka për të shpjeguar. Por, refuzon qartazi dhe prerazi të flasë për ngjarjen, edhe pse ka shumë për të rrëfyer. Qetësia e Rrokut është aq e thellë dhe thuajse tronditëse, por dëshmon, se ai është krejt i vendosur për ta çuar deri në fund të tijën, e për të dëshmuar.
Kush është Gentian Doda
Gentian Doda u ekstradua nga SHBA-të për në Shqipëri në vitin 2012, i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima. Sipas prokurorisë, nga hetimi i çështjes ka rezultuar se nga viti 1997 e në vazhdim shkak i konfliktit me pasoja të rënda ka qenë përplasja e vazhdueshme ndërmjet dy familjeve.
Nga hasmëritë mes dy fiseve në Mat numërohen të vrarë të paktën 16 persona që prej vitit 1997 e në vazhdim. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vrarë aksidentalisht Asllan Gjoka. Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale. Ndonëse vrau dy persona në ’97-ën, Gentian Doda fitoi lirinë vetëm pas 5 vitesh burg.
Takimi në burg
Gentian Doda ka trup mesatar e aso kohe, në gusht 2015 mbante mjekër pak më të gjatë. Në dukje ishte i qetë si tip e nuk bezdisej aspak nga prania e të huajve. “Me puro në gojë e penela në duar, Gentian Doda, i dënuar 20 vjet për vrasje të dyfishtë kryer në vitin 1997, hedh imazhe të fiksuara në kanavacë. Jemi shkëputur kështu në godinën e bibliotekës, aty ku të burgosurit merren edhe me krijime. I riu u ekstradua nga Amerika disa vite më parë e sot vuan dënimin në Burgun e Fushë-Krujës. Në cohën e bardhë të ngjyer krejtësisht me blu e nuancat, ka vizatuar oqeanin e pafund, duke rikthyer kështu nostalgjinë për të shkuarën, e siç e thotë edhe vetë, jetën në Los Angelos”. Këtë përshtypje la tek ne Gentian Doda, matjani i shumëpërfolur së fundmi, i cili tashmë ka lënë qelinë për të jetuar i lirë.