Flamurtari-Skënderbeu/ Daja: Jam i kënaqur nga pjesa e dytë; Duro: Nuk besoj se do marrim penallti deri në fund të sezonit

16 Nëntor 2017, 19:36Sport TEMA

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka folur pas barazimit që ekipi i tij mori në transfertë kundër Flamurtarit.

Tekniku i bardhekuqve është shprehur i kënaqur me pikën e parë në Vlorë, ndërsa kritikoi disa nga lojtarët e tij që zhvilluan një ndeshje jo të mirë.

“Barazimi ishte rezultati më i drejtë, pasi e nisëm jo mirë pjesën e parë. Patëm edhe ne mungesat tona, por arritëm që të vendosim në vështirësi kundërshtarin në ato raste që na u dhanë. Jam i kënaqur nga pjesa e dytë, por nuk jam i kënaqur nga pjesa e parë, ku disa lojtarë që patën mundësi për të luajtur shpenzuan shumë energji të kota.
Kampionati është i gjatë, por po mbajtëm këtë ritëm që kemi treguar deri më tani jemi në rrugën e duhur. Skuadra ka treguar mentalitetin e duhur në fushë, edhe pse nuk duhet të gabojë në këtë mënyrë si në 45 minutat e para.

Dalja e Donjet Shkodrës? Nuk e kam parë reagimin e Shkodrës. Do ta shikoj me qetësi veprimet e tij, pasi në skuadër duhet të ketë harmoni. Do të merren masa ndaj tij nëse ka thyer rregullat e brendshme të klubit.
Osmani është një lojtar që ndryshon mjaft mirë balancat në fushën e lojës. Ai e bëri mirë ndryshimin e krahëve të lojës, ndaj dhe Gavazajn e zëvendësova në atë moment për të frenuar kundërsulmet.

Soue? Ku një lojtar vjen nga avioni dhe ka luajtur me kombëtaren e tij, ai e ka ritmin e lojës. I vetmi problem në këtë rast mbetet ngarkesa që kishte në këmbët e tij. Ai është një lojtar në ritëm, pasi ka qenë në aktivitet. Sot nuk kishte dita e duhur për të luajtur ndeshje, pasi të kesh katër lojtarë me kombëtaret, dhe të luash pas dy ditësh, kjo e bën të vështirë”, tha Daja pas ndeshjes.

Ndërsa, trajneri i Flamurtarit Shpëtim Duro u shpreh se ekipi i tij meriton më shumë dhe se gjyqtarët kanë qenë pengesa e vetme që skuadra të mos dilte me pikë të plota ndaj ekipeve kryesore të kampionatit.

Në fjalën për “SuperSport”, ai deklaroi se nuk besonte që do të merreshin penallti nga skuadra e tij këtë sezon.

Për ndeshjen e sotme me Skënderbeun

“Komplimente skuadrës për çfarë ka dhënë se kishim përballë një ekip si Skënderbeun. Skuadra ka bërë detyrën gjatë gjithë lojës, përballë kishim një skuadër që dihet forca. Por sot e meritonim patjetër fitoren, kemi shënuar, kontrolluar, kemi mbyllur hapësirat e kundërshtarit. Kam rezerva për gjykimin, nëse goli i dytë ishte i rregullt, kam mendimin që e kemi fituar takimin. As nuk diksutohet që ëshët gol i rregullt. Është hera e dytë, edhe me Kukësin, edhe këtu…”

Për penalltinë që nuk iu dha në pjesën e parë

“Nuk e di nëse ka qenë, nuk e di a do të kemi marrë ndonjëherë penallti dhe nuk besoj të marrim deri në fund të kampionatit. Çfarë të bëjë skuadrë më shumë, nuk e kuptoj. Me Kukësin nuk jep penallti, anulon gol të rregullt, sot prapë. Çfarë t’i kërkoj skuadrës? Shihet që skuadra ka luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e fundit, duhej të merrnim më shumë. Nnse gjykimet do të ishin më të rregullta, do të kishim marrë më shumë. Jam i kënaqur, por i zhgënjyer për futbollistët dhe tifozët, se nuk është zgjedhje e mirë kjo e gjykimit”.

Nëse kënaqet me barazimin

“Barazimet me dy skuadra të mira janë të pranueshme por mënyra e lojës duhet diskutuar. Si u zhvilluan dy ndeshjet, mendoj se ksuadra ka merituar më shumë”.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje