Lorik (po të thërras në emër, për shkak të emocioneve dhe afrimitetit që na ke dhënë si lojtar dhe kapiten i Kombëtares gjatë gjithë këtyre viteve). Je shembulli i suksesit dhe frymëzimi i të gjithë brezave të rinj. Je simboli i futbolldashësit, që me shumë vullnet dhe sakrificë ia ke dalë të arrish majat e futbollit europian.
Ke arritur të fitosh respektin e qindra mijëra tifozëve në Itali, Francë, Angli, Turqi e shumë vende të tjera. Ke arritur të mbushësh me gëzim zemrat e miliona shqiptarëve, kur festove kualifikimin historik për në kampionatin Europian të Kombëtares kuqezi. Ke arritur të përlotësh me miliona shqiptarë, kur tregove se si mbrohet me zemër flamuri i vendit tënd. Ke arritur të krijosh standartin e lartë, që duhet ndjekur nga të gjithë ata, që e shohin futbollin si zgjedhje dhe zgjidhje të jetës së tyre.
Lorik, për të gjithë ato të mira karakteriale dhe sportive që ti gëzon, meriton një “falënderim” që vazhdon të jesh i gatshëm për të ndihmuar në futbollin e vendit tënd. Që pranon të bëhesh ambasador i projektit “Grassroots”, i cili të lidh në mënyrë direkte me fëmijët. Ata duan dhe duhet të ndjekin shembullin tënd.
Por, Lorik, nga imazhi dhe lavdia jote, po tentohet të “blihet” sado pak pastërti. Duhet të dish se çfarë është bërë ndërkohë, nga të gjithë ata që të konsiderojnë pa dashje “partner” në nismën për të ndihmuar fëmijët.
Lorik, duhet të dish që:
– Fondet e projektit “Grassroots”, ku sapo je bërë Ambasador, nuk janë shpërndarë ashtu siç i takon një institucioni që dëshiron të rrisë sa më mirë brezat e ardhshëm.
– Fondi “Grassroots”, i cili vjen nga UEFA çdo vit dhe kap një shifër prej së paku 100 mijë eurosh, është zhvilluar në trotuaret e disa qyteteve, në fusha të improvizuara në rrethim me tela. Është vënë në rrezik shëndeti i atyre pak fëmijëve që kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur me miqtë e tyre. Dhe kjo, jo për shkak se fondi i UEFA-s për projektin “Grassroots” nuk mjaftonte.
– Në rrethimet e fushave të improvizuara “Grassroots” janë vendosur reklamat e kompanive private të presidentit të FSHF-së. Dhe ti e di mjaft mirë, që në të gjitha vendet me sado pak emancipim në drejtimin e futbollit, vendosen pankarta ku shkruhet “Grassroots” dhe “Fair Play”. Në asnjë vend tjetër të Europës, nuk janë vendosur reklama të kompanive private, që rastësisht i përkasin pikërisht presidentit të FSHF-së. Ti e di mjaft mirë që nuk mund të reklamosh te fondet e UEFA-s dhe mbi të gjitha, të përfitosh nga pafajësia e disa fëmijëve që vijnë për të luajtur thjesht futboll.
– Lorik, duke respektuar në maksimum dëshirën tënde për të përmirësuar dhe frymëzuar brezat e rinj, dua të të kujtoj, që Fondi i Solidaritetit, që vjen nga UEFA pikërisht për akademitë e klubeve të futbollit çdo vit, iu mbajt i fshehtë klubeve për afro 10 vjet. U desh një denoncim në “Panorama Sport”, që FSHF-ja të pranonte se nuk ua kishin shpërndarë ato fonde dhe se do ua jepnin më vonë. Bëhet fjalë për qindra mijëra euro Lorik dhe bëhet fjalë pikërisht për kushtet që u krijohen fëmijëve.
– Lorik, me të drejtë the që në Shqipëri ka tmerrësisht shumë pika bastesh dhe rinia i mbush ato. Por, një pjesë e mirë e atyre që rrinë aty janë pikërisht futbollistë që luajnë në Shqipëri. Dhe kjo ndodh sepse futbolli për ta nuk është një profesion as fitimprurës dhe as i mbrojtur. Sepse FSHF-ja pranon kontrata me vlera qesharake, ndërkohë që klubet i përdorin si “skllevër”, për pjesën e parave që duhet t’u japin apo kanë rënë dakord.
– Lorik, më e rëndësishme është që të mbahen fëmijët larg basteve, që ta çrrenjosim bastëvënien nga kultura e tyre. Por, a e di që jo më larg se disa ditë më parë, organizata ndërkombëtare “Federbet”, e cila merret me monitorimin e basteve, deklaroi se ndeshja e Shqipërisë U-20 me Gjeorgjinë U-20 kishte dyshime për manipulim, pasi kishte anomali të mëdha në bastvënie?! Nuk e tha askush që mund të ketë inate personale, pasi “Federbet” nuk njeh askënd. Po a mund të përdoren ata fëmijë Lorik?! Dhe mbi të gjitha, FSHF nuk reagoi as për të mbrojtur imazhin e saj. Nuk tha asnjë gjysmë fjale. I la “jetimë” përballë një deklarate tepër të fortë dhe përbaltëse të një kompanie të huaj.
Lorik, lista e problemeve të shkaktuara që mund të zgjidheshin është më e gjatë, por këto ishin vetëm disa që lidhen pikërisht me fëmijët. Uroj që me ty si “Ambasador” e ardhmja të jetë më e mirë dhe jam i bindur. Por, më parë duhet të dish se çfarë ka ndodhur deri tani, me projektin që ti nga dashamirësia pranove ta përfaqësosh. Të dish se pse brezat e rinj janë mësuar me abuzime dhe u hiqet dëshira për t’u marrë me futboll. Përfshirja jote jep shpresë, por mundohu që njerëz të padenjë, të mos të përdorin imazhin tënd. Për të mirën e frymëzimit të rinisë…
Opinion nga Fation Shehu (drejtor i “VIP SPORT MEDIA”)
Duhet te shkoje ne burg Kryetari i FSHF z.Duka qe futbolli shqiptar te marre fryme dhe te zhvillohet sipas standarteve ,duhet VETING dhe ne FSHF eshte urgjent dhe domosdoshmeri .