Skënderbeu vendos njërën dorë tek titulli, por nuk është një rastësi!

3 Dhjetor 2017, 20:35Sport TEMA

Në 13 javë kampionat duket sikur Skënderbeu ka vendosur njërën dorë te titulli kampion dhe pse ende nuk ka kaluar as gjysma e sezonit. Fitorja e drejtëpërdrejtë me Kukësin ngriti në 9 pikë diferencën me kampionët në fuqi, një avantazh që duket i menaxhueshëm deri në fund të kampionatit, për një skuadër që nga java e ardhshme nuk do të ketë më as impenjime në Europë.

Ecuria e verës në Europa League por mbi të gjitha loja e shprehur e dha një sinjal se Skënderbeu këtë vit do të ishte pretendenti kryesor për fitimin e titullit, por as më optimsti nuk mendonte se diferenca e krijuar me ndjekësit do të ishte kaq e madhe kur është luajtur vetëm 1/3 e sezonit të Superiores dhe kjo e ka një arsye.

Në ndryshim nga klubet e tjera që ndryshojnë pothuajse plotësisht në merkaton e verës, Skënderbeu prej vitesh, jo vetëm që ka arkëtuar të ardhura nga shitja e lojtarëve të saj duke ngritur një strukturë të fortë menaxhimi, por dhe ata emra të rinj që afrohen përshtaten menjëherë në skuadër, e vetmja në Shqipëri që ka një lojë të konsoliduar dhe që luan në mënyrë të ngjashme pavarësisht emrave që hyjnë e dalin në formacion.

9 pikët avantazh të Skënderbeut në këtë sezon por dhe shpërndarja e golave mes futbollistëve janë tregues të faktit se te korçarët i rëndësishëm nuk është individi por grupi, dhe i pari thjesht vihet në shërbim të skuadrës dhe këto janë elementë që e bëjnë një skuadër të suksesshme, aq sa pas 13 javësh nuk ka asnjë humbje dhe me ritmet aktuale duket paksa e vështirë që dikush ta mundë, sepse rezultatet e Skënderbeut mbi të gjitha nuk janë prodhim i rastësisë./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje