Shqipëria njeh kundërshtarët e saj në grup për fazën kualifikuese të Europianit U-17, për edicionin 2018-2019, por njëherësh do të jetë përsëri edhe organizatore e një tjetër raundi eleminator.
Sot është hedhur në Nyon të Zvicrës edhe shorti përkatës me 13 grupe të plota më nga 4 skuadra. Shqipëria bën pjesë në grupin nr.8 dhe do të luajë kundër rivalëve të: Republikës Çeke, Norvegjisë dhe të Azerbajxhanit.
Takimet do të nisin vitin e ardhshëm dhe deri në startin e eleminatoreve zyrtare, skuadra kombëtare U-17 do të realizojë disa ndeshje miqësore, por edhe raunde të planifikuara grumbullimi. Takimet e grupit të 8-të, do të zhvillohen në vendin tonë nga data 23 deri në datë 29 tetor 2018.
Sipas formulës së këtyre eleminatoreve, dy vendet e para të secilit grup dhe katër vendet e treta më të mira do të kualifikohen për në Elite Round të Europianit U-17. Kështu, pas edicioneve të tetorit të këtij viti, UEFA i beson Shqipërisë sërish një tjetër organizim eventi, për moshën U-17, ndeshjet eleminatore të së cilës do të zhvillohen tetorin e ardhshëm në datat 23, 26 dhe 29 tetor.
Pas shortit zyrtar të eleminatoreve të Europianit për kombëtaren U-17, Shqipëria njeh rivalët e saj edhe për U-19. Edhe ky turne do të zhvillohet tetorin e ardhshëm në Shqipëri, nga data 10 tetor deri në datë 16 tetor. Një tjetër event që UEFA ia beson përsëri FSHF-së, për organizimin e saj të suksesshëm në eventet e mëparëshme, ku më së fundmi mbylli dhe realizoi tre të tillë në muajin tetor.
Sipas shortit të përcaktuar sot në Nyon, kombëtarja U-19 e trajnerit Erion Bogdani në eleminatoret e ardhëshme është në grupin 8 së bashku me skuadrat e Ukrainës, Sllovakisë dhe Norvegjisë. Dy vendet e para të secilit grup (nga 13 gjithsesj) kualifikohen për në Elite Round. Ky grup do të luajë në Shquipëri në datat 10, 13 dhe 16 tetor 2018.
Në muajt në vijim do të përcaktohen edhe qytetet në Shqipëri se ku do të luhet. Edhe përfaqësuesja U-19 e Shqipërisë ka në program të saj zhvillimin e disa takimeve miqësore deri në startin e eleminatoreve zyrtare në tetorin e ardhshëm.