Përjashtimet nga PD gjatë këtij çerek shekulli pas dhjetorit ‘90, kanë qenë të shumta, shpesh anektodike për nga rrethanat.
Por “përjashtimi i parë” ua kalon gjithë të tjerëve.
Ka ndodhur “live” që në orët e para të PD-së, në tribunën e “heronjve” të dhjetorit, ku shkëlqente Berisha.
Ish-truproja e tij Izet Haxhia e rrëfen episodin në një intervistë për gazetën Dita, ku flet për ngjarjet e dhjetorit ’90.
I përjashtuari i parë ishte një piktor dhe quhej Rexhep Aliaj.
“Ka qenë Rexhep Aliaj, një piktor dhe arsyeja e përjashtimit ishte se doli në tribunën e mitingut të parë të PD-së me 15 dhjetor pa qenë në protokoll. Berisha i kërkoi llogari dhe Rexhepi iu kthye se “kush je ti që po kërkon llogari. Ti je një komunist i thekur” dhe Berisha e përjashtoi nga PD-ja, edhe pse nuk ishte bërë akoma kryetar i saj. Rexhepi i futi një të sharë dhe u largua…” – tregon Haxhia.
Ai rrëfen se si Berisha instruktoi gjithë folësit e asaj dite që të zbusnin tonet dhe sidomos të hiqnin nga fjalimet e tyre termin “opozitë”.
Por…e përdori vetë atë.
“Të nesërmen e legalizimit më 15 dhjetor u mbajt mitingu i parë i PD-së së sapokrijuar.
Përpara mitingut u caktua se kush do të dilte në tribunë dhe kush do mbante fjalime.
U vendos që në fjalimet që do mbaheshin të mos goditej regjimi se mos na zemërohej partia mëmë.
Aq të buta ishin fjalimet sa as fjala opozitë u tha që të mos përmendej.
Berisha e hoqi nga fjalimi i Azemit këtë fjalë, por çfarë të dëgjojmë! Berisha në fjalën e tij përmendi disa herë fjalën opozitë.
Azemi u nxeh shumë pas kësaj me Berishën.
Kjo tregonte se Berisha do të ishte një hap përpara gjithmonë me të tjerët në PD.
Ishte hera e parë që po ua fuste, por jo e fundit…” (TemA)