Bushati: Sfidat e Shqipërisë, nga reformat, anëtarësimi në BE, orientimi euroatlantik tek forcimi i fqinjësisë në rajon

13 Dhjetor 2017, 20:39Politika TEMA

Nga Ditmir Bushati

Është kënaqësi për mua të them pak fjalën në këtë fund viti përpara se të adresohet Dekani i trupit Diplomatik dhe Kryeministri.

Fillimisht dëshiroj të falënderoj secilin prej jush për punën, bashkëpunimin, ndërveprimin që kemi pasur gjatë vitit 2017. Por edhe për t’ju uruar juve, familjeve tuaja, ekipeve tuaja e natyrisht vendeve që përfaqësoni këtu, një vit të Ri të qetë të mbarë e të begatë.

Viti që po lëmë pas ka qenë i veçantë për ne, je vetëm sepse ishte një vit zgjedhor, një sprovë që Shqipëria e kaloi me sukses të plotë por edhe i mbarsur me sfida të tjera të brendshme, ashtu në kontekstin rajonal e më gjerë. Më lejoni të reflektoj shkurtimisht mbi tre shtyllat ku është përqendruar puna jonë të cilat përbëjnë shinat e 2018-s.

Së pari, është sfida jonë më madhore e përparimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian:

Ne e kemi konsideruar dhe do të vijojmë ta konsiderojmë marrëdhënien tonë me bashkimin evropian si një marrëdhënie e cila bazohet mbi angazhime dhe rezultate të dyanshme. Prandaj, puna e përditshme që ju bëni në Shqipëri dhe në kryeqytet tuaja është thelbësore në këtë front ndaj dhe dëshiroj t’ju falënderoj për partneritetin që keni dëshmuar në këtë moment vendimtar që kalon Shqipëria.

Sic edhe e dini, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka është në dorën dhe mundësitë tona për ta bërë vitin 2018 një moment përcaktues të rrugëtimit tonë evropian: për ne, hapja e negociatave për anëtarësim në 2018-n është hapi i duhur dhe strategjik jo vetëm për ne dhe qëndrueshmërinë e reformave tona, por dhe për vetë Bashkimin Evropian dhe projektin evropian në tërësi.

Reformat tona të përqendruara në forcimin e shtetit ligjor dhe të mirëqeverisjes kanë krijuar një moment të ri transformimi të brendshëm, po aq të rëndësishëm, por cilësisht të ndryshëm nga fillimi i tranzicionit i viteve 90. Ndaj, shpresojmë gjithashtu që reformat tona në drejtim të shtetkonsolidimit të krijojnë një model të duhur për të gjithë vendet e rajonit.

Së dyti, orientimi ynë i qartë euro-atlantik dhe përkushtimi i palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave euro-atlantike e kanë transformuar Shqipërinë jo thjeshtë në atë çka ne bëjmë, në linjëzimin e politikës tonë të jashtme në të gjitha rastet me Bashkimin Evropian, por e kanë transformuar Shqipërinë gjithashtu në kontributorin kryesor në forcimin e paqes, , e stabilitetit në rajon.

Në një botë ku duket se janë kthyer përsëri sferat e influencës dhe rivalitetet gjeopolitike, ankorimi ynë i pakthyeshëm në trungun euro-atlantik është një garanci e dyfishtë: për të ruajtur e konsoliduar ritmin dhe përmbajtjen e reformave tona transformuese në vend, dhe për të forcuar ndjenjën e sigurisë, duke zbutur çdo paqartësi e pasiguri rreth nesh në planin rajonal.

Anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancë, të cilin e kemi mbështetur në kuadër të politikës së dyerve të hapura këtë vit, ka krijuar një vijimësi sigurie përgjatë gjithë bregut Adriatiko-Jonian.

Forcimi i fqinjësisë së mirë mbetet gur themeli i politikës sonë të jashtme. Këtë e kemi dëshmuar duke forcuar kuadrin e bashkëpunimit dypalësh, më të gjitha vendet përreth nesh pa përjashtim: vetëm para pak javësh zhvilluam mbledhjen e 4-ërt të përbashkët të qeverive me Kosovën, këtë javë do të zhvillojmë mbledhjen e parë të përbashkët me Maqedoninë e në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, këtë praktikë do ta shtrijmë edhe me Malin e Zi.

Angazhimi ynë në rajon është demonstruar edhe nëpërmjet investimit tonë në forcimin e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit e materializimit të dy nismave të reja rajonale, zyrës rinore për bashkëpunim rajonal dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor.

Jo më pak i rëndësishëm, angazhimi ynë në zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull me vendin tonë fqinj, Greqinë, është përkthyer në një moment të ri të dialogut dypalësh, karakterizuar nga një frymë konstruktive, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe e orientuar nga e ardhmja.

Në një plan më të gjerë, ky vit shënoi rritjen e kontributit tonë në kuadër të prezencën në KFOR në Kosovë, në kuadër të prezencës në vendet Baltike, në Egje dhe në Mesdhe.

Ky vit shënoi edhe përfundimin e mandatit tonë të parë si Anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Puna në organizatat ndërkombëtare rrallë herë merr shikueshmërinë e duhur, por dëshiroj të them këtu se jemi krenarë që për tre vjet kemi punuar bashkë me vende partnere për të mbrojtur e përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut në botë.

Ne do të vazhdojnë të jemi të ndjeshëm e të angazhuar për respektimin lirive themelore, siç u demonstrua nga përgatitja dhe miratimi i një ligji të posaçëm për mbrojtjen e pakicave në vendin tonë, si edhe jemi tërësisht të angazhuar në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e demokracive dhe shtetit ligjor afër e larg nesh.

Së fundmi, politikën tonë të jashtme po mundohemi ta sjellim më afër qytetarëve në funksion të mirëqenies së tyre, e zhvillimit ekonomik të vendit.

Për këtë arsye, kemi vendosur t’i japim diplomacisë tonë një dimension më të spikatur ekonomik e zhvillimor duke e lidhur aktivitetin tonë në mënyrë më të strukturuar me ndihmën e huaj për zhvillim nga njëra anë, dhe me investimet e huaja në sektorë strategjikë, nga ana tjetër.

Në këtë kontekst, jemi gjithashtu të angazhuar për të përfshirë më shumë diasporën shqiptare në zhvillimin e vendit, duke e filluar punën vitin tjetër me regjistrimit të shqiptarëve kudo ata jetojnë.

Dëshiroj të shpreh bindjen se gjatë vitit të ardhshëm do të vijojmë të punojmë sa më ngushtë, në të mirë të forcimit të marrëdhënieve dhe mbrojtjes së interesave reciproke në planin dypalësh, por edhe për bashkuar përpjekjet dhe energjitë në të mirë të paqes, sigurisë, mirëqenies e përparimit për të gjithë.

*Fala e plote e ministrit Bushati sot ne takimin me ambasadoret

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje