Laçi simpatik i Gentian Mezanit
Nga Ervin Baku
Kampionat interesant! Kthyer kokën te sfidat e javës që lamë pas, ato që tërhoqën jo pak vëmendjen te sportdashësit, pas rezultateve teknike, janë sfidat Kamza – Luftëtari, Laçi – Skënderbeu dhe padyshim Kukësi – Lushnja. Lagunarët e teknikut Dedja ishin befasia e madhe.
Lushnja bën për “ujë të ftohtë” kampionët në fuqi të Kukësit me tre gola të shënuar e tri pikë në “Zeqir Ymeri”. Sefa verdhëjeshil bën “jeshil” rrugëtimin e myzeqarëve. Së paku këtë javë. Milinkoviç mbetet në timon edhe pse “ha dru” javë pas jave…!
Edhe Skënderbeu është dashur të nënshkruajë humbjen e parë në kampionat. Nga “avioni zviceran”, direkt në fushë, korçarët që bënë krenarë gjithë shqiptarët në grupet e Europa League u ndalën nga Laçi simpatik i Gentian Mezanit. Bardhezinjtë, me Myrto Uzunin në superformë, gjetën golin në start të fraksionit të dytë për tri pikë shumë të rëndësishme.
Luftëtari bën në Kamëz ndeshjen më të mirë sezonale. Vendasit janë konfuzë dhe në 90 minuta, ata që provojnë dhe shfaqen në fushë janë bluzinjtë. Golin e gjejnë në kohën shtesë. Verdikti i drejtë: Luftëtari kthehet potent. Ndreu nuk iu beson syve, këtë radhë futbollistët e tij nuk përgjigjen.
Partizani cfilitet për të kaluar Teutën. Goli i Bathës, në shtesë, 7 sekonda para fundit, çertifikon pikët maksimale për të kuqtë e Starovës duke lënë edhe për këtë javë durrsakët në zonën e rrezikshme. Atje ku Vllaznia është prej javësh.
Shkodranët nuk “ngrenë krye” prej kohësh. Në Vlorë, vendasit hedhin në “tapet” kuq e blutë me dy gola të thjeshtë duke vijuar ecurinë pozitive dhe “kërcënuar” kreun. Këtë kampionat interesant të deritanishëm e trazon Kupa e Shqipërisë.
Ajo luhet sot, ndërsa disa sfida pritet të jenë mjaft të luftuara…!