Opozita të dalë sa më shpejt nga patologjia e humbjes dhe çizmes, të mos zgjohet vetëm për të bllokuar integrimin

6 Janar 2018, 19:01Politika TEMA

Nga Ditmir Bushati*

100 ditë janë një mundësi e mirë ndonëse jo e mjaftueshme për të vlerësuar trajektoren e qeverisjes dhe unë doja që të ndaja me ju disa prej vlerësimeve tona paraprake në lidhje me kryeprioritetin e Shqipërisë, kryeprioritetin e qeverisë për avancimin në procesin e integrimit evropian dhe posaçërisht punën që po bëhet në funksion të sigurimit të një vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Taulanti preku pak pjesën e Kuvendit, ambientin politik në Shqipëri që është i polarizuar, si vend pak ballkanik e pak mesdhetar, por nga ana tjetër ja vlen që të theksojmë që brenda këtyre 100 ditëve Kuvendi i Shqipërisë së bashku me qeverinë kaluan një proces të vështirë të konstituimit të institucioneve të Vetting-ut dhe alokuan buxhetin përkatës për këto institucione si një ndër pikat më kryesore të procesit të integrimit evropian që ka lidhje me zbatimin e reformës në drejtësi.

Gjithashtu, gjatë këtyre 100 ditëve Kuvendi i Shqipërisë i dha mbështetje të plotë ligjit që paraqiti qeveria për pakicat kombëtare, ligji i parë në këto 27 vite tranzicion që nga shembja e regjimit komunist dhe një ligj shumë progresist i cili do ta bëj të dallueshëm Shqipërinë jo vetëm nga një pjesë e mirë e vendeve të rajonit, por do ta vendosë Shqipërinë së bashku me paketën e akteve nënligjore që ne po përgatisim në listën e vendeve që ka një respekt të lartë përsa i përket mbrojtës dhe promovimit të të drejtave të pakicave.

Së treti, puna që ka nisur në Kuvendin e Shqipërisë për reformën zgjedhore dhe Komisioni bipartizan i cili është në përputhje të plotë jo vetëm me rekomandimet e OSBE – ODHIR për zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, të cilat u konsideruan në përputhje me standardet ndërkombëtare, por hap edhe mundësinë e dialogut të gjerë politik me opozitën, qoftë përsa i përket pjesës që ka të bëjë strikt me reformën zgjedhore, por shpresojmë edhe prioritetit tonë si qeveri për t’i mundësuar shqiptarëve që janë jashtë atdheut për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Këto janë tre elementë shumë të rëndësishëm të trasesë politike të cilat ja vlen që të mbahen në vëmendje të gjithsecilit. Natyrisht, kryeprioriteti brenda gjithë këtij procesi ka lidhje me reformën në drejtësi. Ndaj, janë deri diku të kuptueshme, ndonëse jo të pranueshme, bllokimi apo paranoja që vjen nga zbatimi i reformës në drejtësi.

Pika e dytë ka të bëjë me axhendën politike dhe diplomatike të Shqipërisë. Gjatë këtyre 100 ditëve kjo axhendë ka qenë e ngarkuar. Në 6 muajt në vijim do të jetë edhe më intensive edhe më e plotë në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përveçse në institucionet kryesore të Bashkimit Evropian.

Emëruesi i përbashkët i të gjitha takimeve që janë zhvilluar, qoftë në takimet e Kryeministrit Rama në Bruksel, të ministrave të linjës që kanë një peshë të rëndësishme në këtë proces, sidomos ministri i Brendshëm dhe ministri i Drejtësisë, apo mesazhi kryesor që vjen nga Bashkimi Evropian është se Shqipëria është një shembull suksesi përsa i përket reformave që ka ndërmarrë.

Kur flasim për reformën në drejtësi, ajo çka ne kemi bërë gjatë këtyre dy viteve është e paimagjinueshme edhe për një pjesë të mirë të vendeve anëtare sot për sot të Bashkimit Evropian që kanë probleme qoftë me Komisionin e Venecias, qoftë me shërbimet e Komisionit Evropian, qoftë me Këshillin e Evropës përsa i përket standardeve të të drejtave të njeriut, sa i përket reformës në drejtësi, çështjeve të antikorrupsonit dhe përfshirjes së ekspertizës ndërkombëtare në këtë proces.

Mesazhi i dytë është se nëse se do të vazhdohet me këtë ritëm në periudhën e ardhshme, Shqipërisë do t’i propozohet fillimi i bisedimeve për anëtarësim.

Mesazhi i tretë ka të bëjë me rikonfirmimin e pozicionit tonë strategjik në rajon dhe linjëzimin e plotë të politikës sonë të jashtme me atë të partnerëve kryesorë të Shqipërisë.

Pika e tretë që dua të ndaj me ju është kalendari i gjatë muajve të ardhshëm, i cili do të jetë një kalendar dinamik. Në shkurt Komisioni Evropian do të prezantojë strategjinë e zgjerimit. Keni dëgjuar besoj opozitën në Parlament që ka thënë shpesh pse Shqipëria ka mbledhur jashtë kësaj strategjie. Kam një lajm shumë të mirë që të gjitha vendet e rajonit do të jenë pjesë e kësaj strategjie, i konfirmuar edhe në deklaratën e përbashkët të Presidentit Junker dhe Kryeministrit Rama para pak javësh në Bruksel. Ne presim që kjo strategji të ofrojë një hartë rruge të qartë për të gjitha vendet duke filluar, natyrisht, me vendin tonë që është edhe interesi kryesor.

Ne presim që perspektiva e ardhshme e Bashkimit Evropian 7-vjeçare të reflektojë prioritetet e politikës së zgjerimit që kanë të bëjnë më sundimit e së të drejtës dhe kanë të bëjnë me zvogëlimin e hendeqeve që ekzistojnë sot për sot mes veriut dhe jugut të Evropës duke dhënë kësisoj një sinjal të qartë për stabilitetin politik në këtë kënd të Evropës.

Ne presim gjithashtu që në prill Komisioni Evropian të vijë me propozimin konkret të pakushtëzuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, një proces i cili pritet të konkretizohet më pas në Samitin e Sofjes dhe më pas në Samitin që do të ketë Bashkimi Evropian në qershor të këtij viti.

U përmend këtu pak më parë roli i aktorëve politik në proces. Ja vlen të theksojmë atë që ka thënë kryeministri në krye të herës që kur vjen fjala për negociata për anëtarësim ne bashkimin Evropian nuk i hap këto negociata as Edi Rama dhe as qeveria shqiptare. Këto janë negociata për Shqipërinë, për popullin shqiptar, ku natyrisht qeveria është një prej agjentëve kryesorë që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ndaj është e rëndësishme dhe unë përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje opozitës për të bashkëpunuar dhe për të mos qenë barrikadë e zhvillimeve që kanë të bëjnë me këtë proces.

E them këtë sepse duke parë sjelljen e fundit të opozitës më çon në mëndje analizën që bënte Frojdi përgjithësisht për njerëzit, për mënyrën se si ato e përballojnë humbjen. Ka në fakt dy mënyra. Njëra është përmes vajtimit ku personit apo personat përfshihen në një proces vajtimi, në një proces racional ku përpiqen të kuptojnë edhe arsyet e humbjes dhe ka edhe një proces tjetër që është melankolia, ku humbja konsiderohet e trajtohet si melankoli dhe zhytet thellë personi në patologji.

Me duket sikur edhe ajo pjesa e çizmeve që përmendi Taulanti ka të bëjë më këtë pjesën e dytë, pjesën e patologjisë. Prandaj shpresoj shumë që sa më shpejt opozita të dalë nga kjo lloj gjendje, qoftë opozita e viteve të shkuara, qoftë dhe opozita e re në Parlament, të krijojnë mundësinë për të kuptuar që këtu nuk bëhet fjalë për fatin e qeverisë, këtu nuk bëhet fjalë për fatin e një kryeministri, por këtu bëhet fjalë për fatin e Shqipërisë.

Pika e fundit që pavarësisht se nuk ka shumë lidhje me këtë proces të cilin u përpoqa për ta shpjeguar se ku jemi dhe çfarë kemi ndërmend të bëjmë, ka lidhje dhe me një dialog intensiv që ne kemi hapur së bashku me Greqinë duke marrë një mandat të qartë nga dy kryeministrat për të punuar në tema të cilat për hir të së vërtetës duhet thënë që janë mjaft delikate se kanë 70 vite që janë aty dhe ende nuk janë adresuar plotësisht.

Meqenëse i kanë dhënë mundësi vetes disa jovertebrorë të dalin e të flasin, të na drejtojnë gishtin pa nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara, nga mënyra se si kanë negociuar. Nga mënyra se çfarë trashëgimie na kanë lënë, e gjej me vend këtu që në radhë të parë, përveç mbështetjes që më ka dhënë kryeministri për ta koordinuar këtë proces, të falënderoj të gjithë kolegët për përgjegjësinë që kanë dëshmuar në këtë proces, Oltën, Linditën, Fatmirin dhe Damjanin duke qenë se janë institucione që kanë fusha drejtpërdrejtë përgjegjesie për dialogun që ne po zhvillojmë me Greqinë. Por nga ana tjetër, dua të siguroj secilit prej jush, grupin parlamentar dhe të gjithë shqiptarët që na ndjekin që ky është një proces i vështirë, por ne jemi të vendosur për ta trajtuar këtë marrëdhënie në mënyrë strategjike, për të gjetur të gjitha zgjidhjet të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, në frymën evropiane dhe në miqësinë që duhet të karakterizojë marrëdhënien mes nesh dhe Greqisë sepse nuk është thjesht dhe vetëm një marrëdhënie strategjike këtu në këtë kënd te Evropës, por është një marrëdhënie e cila në qoftë se do të vijojmë në këtë mënyrë dhe ne jemi të bindur që do të vijojë në këtë mënyrë, do të çlirojë energji pozitive edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian.

*Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Asamblenë Kombëtare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje