Teuta ka mbyllur përgatitjet në Durrës dhe mesdita e sotme do t’i gjejë të akomoduar në Antalia, ku do të qëndrojnë 10 ditë për të zhvilluar fazën përgatitore të janarit.
Stërvitja e fundit në Durrës u karakterizua nga disa ushtrime taktike për të vijuar më pas me një lojë brenda ekipit.
Trajneri Stavri Nica kritikoi ashpër lojtarët, teksa në disa momente nuk e mbajtën nervat pas gabimeve të lojtarëve duke shpërthyer:
“Nuk sulmoni njëherë siç është për të sulmuar. Nuk dini të bëni këtë as këtë! Çfarë dini ju? Nuk ju vjen turp? A e shikoi që nuk vjen t’u shohë njeri në stadium?! Pse ndodh kjo? E thjeshtë fare, sepse ju luani keq”, u tha 63- vjeçari lojtarëve në stërvitje.
Me Nicën, që është i fokusuar te stërvitja, drejtuesit kanë zyrtarizuar edhe afrimin e dy lojtarëve që vijnë nga Superliga e Maqedonisë, Amir Bilali dhe Burhan Mustafov, shkruan “Panorama Sport”.
Si mbrojtësi, ashtu edhe mesfushori, pasditen e djeshme janë bashkuar me skuadrën për t’u nisur së bashku drejt Turqisë.