Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një shpërthim me tritol ka tronditur qytetin e Shkodrës, ku si pasojë mbetën të plagosur 8 persona.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen ‘Partizani’, dhe shpërthimi ka përhapur panik të madh te qytetarët.
Objektiv i atentatit ishte biznesmeni i njohur në Shkodër, 43-vjeçari Lulzim Kulla. Atentatorët e kishin mirëorganizuar sulmin dhe dyshohet se paraprakisht monitoronin çdo lëvizje të Kullës.
Autorët kishin gjetur mundësinë që sasinë prej 400 gramë tritol ta vendosnin në pjesën e motorit të mjetit tip “Fuoristradë” me targa AA 444 PX, me të cilën lëvizte Kulla. Sapo biznesmeni po hipte në makinën e tij çdo gjë shpërtheu në flakë, ndërsa 43-vjeçari përfundoi disa metra më tutje i plagosur rëndë.
Ngjarja mund të kishte pasoja fatale pasi zona është tepër e populluar në atë orë të ditës. Shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar dyqanet në ndërtesën dykatëshe pranë së cilës ndodhej makina, duke iu shkatërruar dyert dhe xhamat.
Në videon më poshtë që është pa koment shikohen njerëz që vrapojnë për t’iu larguar nga vendngjarja por edhe persona të gjakosur shihen të friksuar nga ajo që ka ndodhur.(TemA TV)