Vdekja e 7-vjeçares në Durrës, reagon Ministria e Shëndetësisë: Mos neglizhoni shenjat e gripit

15 Janar 2018, 14:52Kronika TEMA

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas vdekjes së 7-vjeçares nga gripi në spitalin e Durrësit.

Përmes një deklarate për mediat, teksa i shpreh ngushëllime familjes së 7 vjeçares ministria u bën thirrje qytetarëve që  të mos neglizhohen shenjat e gripit.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpreh dhimbjen për fatkeqësinë e ndodhur në spitalin e Durrësit, ku një 7 vjeçare humbi jetën pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spital.

Ekipi i mjekëve me përkushtim e profesionalizëm bënë maksimumin për ta mbajtur fëmijën në jetë, ndërsa ekspertët po analizojnë nëse shkaku i vdekjes lidhet apo jo me gripin stinor”, shkruan në njoftimin zyrat Ministria.

Njoftimi i ministrisë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpreh dhimbjen për fatkeqësinë e ndodhur në spitalin e Durrësit, ku një 7 vjeçare humbi jetën pasi u paraqit në gjendje të rëndë në spital. Ekipi i mjekëve me përkushtim e profesionalizëm bënë maksimumin për ta mbajtur fëmijën në jetë, ndërsa ekspertët po analizojnë nëse shkaku i vdekjes lidhet apo jo me gripin stinor.

Lidhur me situatën e gripit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndëmarrë Planin e masave për përballimin e qarkullimit të gripit në vend. Në të njëjtën kohë i bëjmë apel qytetarëve të mos neglizhojnë shenjat e gripit por të konsultohen me mjekun e familjes për të parandaluar komplikacionet.

Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, aktualisht vihet re një rritje e qarkullimit të gripit dhe virozave por nuk kemi situatë epidemie të gripit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje qytetarëve të mos i neglizhojnë gjestet parandaluese, duke ndjekur disa këshilla të thjeshta po mjaft të vlefshme për një dimër pa viruse.

Për të gjithë kategoritë në rrezik për komplikacione, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar vaksinën FALAS për gripin stinor, duke filluar nga fëmijët, të moshuarit me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, etj.

Janë ende gjendje 9000 mijë doza vaksine FALAS, ndaj ftojmë popullatën në risk të vaksinohet?.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të zgjerojë shërbimin në mënyrë që të përballohet fluksi I pritshëm në këtë periudhë.

Përveç spitaleve, katër qendra shëndetësore në Tiranë do të kalojnë në shërbim 24 orësh, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët do të mund ta marrin shërbimin ditën dhe natën pranë lagjeve të tyre, pa patur nevojë të shkojnë në spitale.

Përkatësisht:

▫Qendra Shëndetësore nr 6 në Kombinat,

▫Qendra Shëndetësore nr 7 në Laprakë,

▫Qendra Shëndetësore nr 8 në zonën e ish-Bllokut,

▫Qendra Shëndetësore nr 10 në zonën e Oxhakut.

Ftojmë qytetarët ti drejtohen qendrave shëndetësore. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje