Tirana, Ze Maria: E kemi vlersuar në maksimum Kukësin, synojmë fitoren

30 Janar 2018, 15:34Sport TEMA

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, doli në një konferencë për shtyp përpara gazetarëve ku foli për sfidën e nesërme ndaj Kukësit, që do të jetë e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Braziliani e nisi konferencën duke kërkuar ndjesë, për mos prononcimin për mediat, në fundin e ndeshjes ndaj Shkumbinit.

Tekniku bardheblu u shpreh mjaft i kënaqur për afrimet e bëra në merkato si dhe vlerësoi maksimalisht skuadrën e Kukësit.

“Mirdita të gjithë. Kemi gati 2 muaj që nuk jemi parë. Në fillim dua ta nis me një ndjesë për mediat, pasi nuk jam prononcuar në ndeshjen ndaj Shkumbinit, por kjo ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi. Ajo që ju premtoj është se kjo nuk ka për të ndodhur në një herë tjetër.”

Nga ndryshon finalja e Superkupës, me ndeshjen e nesërme ndaj Kukësit?

“Janë dy ndeshje të ndryshme. E para luhen në dy periudha të ndryshme. E dyta është se tashmë kemi një skuadër tjetër. Do të jetë një ndeshje e fortë, do të jetë një ndeshje që e kemi përgatitur sa më mirë. Edhe Tirana është përforcuar, edhe Kukësi ka ndryshuar. Luajmë përballe një skuadre që është kampioni aktual i sezonit të shkuar dhe do të bëjmë gjithçka për një rezultat pozitiv”.

Sa e njihni Kukësin e Pakult? 

“Nuk është se e njoh shumë Kukësin e Pakult, pasi ai ka pak kohë në drejtimin e këtij ekipi. Nga informacionet e mia, tekniku ka bërë një punë shumë të mirë në fazën përgatitore. E kam ndjekur ndeshjen e tyre ndaj Vllaznisë dhe kanë treguar një nivel shumë të mirë. Tashmë duhet të fokusohemi dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë në këtë ndeshje delikate”.

Rëndësi e ndeshjes së nesërme

“Kjo ndeshje ndaj Kukësit nga ajo e fundit është ndryshme, pasi të dy ekipet kanë ndryshuar shumë në përbërjen e tyre. Skuadra e Kukësit ka pasur futbollistë të tjerë dhe trajner tjetër, ndërsa ky takim është një histori e re. Ne e kemi vlerësuar në maksimum këtë ndeshje dhe jemi përgatitur në maksimumin tonë, sepse Kukësi është skuadra kampione në Shqipëri.”

Studimi i kundërshtarit

“Megjithëse Kukësi na ka ndjekur nga afër në një ndeshje tonën, ne nuk e kemi patur ende luksin për të parë një ndeshje të Kukësit. I kam ndjekur disa ndeshje të regjistruara këtij ekipi, por mund të them se kjo nuk vlen shumë, sepse shpeshherë futbollistët paraqiten ndryshe në ndeshje të ndryshme. Duhet të bëjmë llogaritë mirë pasi kjo ndeshje është 180 minuta dhe jo 90.”

 Mungesat dhe prurjet e reja në merkato

“Doka ka pësuar një dëmtim pak më të rëndë nga çfarë mendohej dhe do të mungojë 3-4 javë. Daja do të jetë i gatshëm për këtë takim.

Afrimet e reja nuk janë gati për të dhënë 100% e tyre, pasi nuk kanë luajtur prej nëntorit. Do na duhet të presim edhe pak për të parë debutimin e tyre. Muguna është një mesfushor dhe e ka pak më të lehtë përshtatjen në fushë, ndërsa Musa e ka pak më të vështirë pasi luan në qendrën e mbrojtjes.

Nuk e di nëse mund të ketë debutim nga ana e futbollistëve në këtë ndeshje, ata do të jenë të gatshëm, por e vetmja gjë e sigurt është se për ta do të ketë disa minuta në fundjavë.

Nga merkato nuk pres më dhe jam shumë i kënaqur me afrimet  e reja. Megjithatë ajo që më lumturon është fakti që asnjë prej futbollistëve bazë të ekipit nuk janë larguar. Nuk duhet të harrojmë që jemi e vetmja skuadër në Kategorinë e Parë që vazhdon ecurinë në Kupën e Shqipërisë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje