Meta çel garën për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

8 Shkurt 2018, 13:26Kronika TEMA

Presidenti Meta çel garën për dy vende vakante për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës bëhet fjalë për vendin “Vakancë e parë”, krijuar nga mbarimi i mandatit të ish gjyqtarit të kësaj gjykate, Sokol Berberi.

Si dhe për “Vakancën e Parakohshme”, krijuar nga dorëheqja e ish gjyqtarit Besnik Imeraj, para përfundimit të mandatit.

Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 22 shkurt 2018.

Njoftimi:

Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës dhe parashikimeve të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, duke vlerësuar njoftimet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi vakancat e krijuara në këtë trupë gjyqësore, me qëllim nisjen e procesit të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe emërimit të gjyqtarit të ri për plotësimin e “Vakancës së parë”, krijuar për shkak të mbarimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi, si dhe plotësimit të “Vakancës së pararakohëshme”, krijuar për shkak të mbarimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj për shkak të dorëheqjes së tij, me cilësinë e organit të emërtesës me Dekretin nr.10722, datë 07.02.2018 dhe Dekretin nr. 10723, datë 07.02.2018, ka miratuar ;

-Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së parë” të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit të kësaj gjykate Z. Sokol Berberi.

-Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” të krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit, të ish-gjyqtarit Z. Besnik Imeraj, më datë 31.01.2018, për shkak të heqjes dorë prej tij nga kjo detyrë.

Presidenti i Republikës fton;

Në një njoftim për mediat nga zyra për shtyp e kreut të shtetit thuhet se “Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurimit të hapur publik.

Publikimi me të dhënat e nevojshme mbi dorëzimin e kërkesës dhe të dokumentacionit të kërkuar gjendet i publikuar në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe në mjetet e tjera të informimit publik”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje