Shtohen vështirësitë për trajnerin e Kukësit, Peter Pakult, në prag të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme me Tiranën në Kupën e Shqipërisë dhe me Partizanin në kampionat.
Austriaku ka probleme të mëdha me mbrojtjen, ku pas Albi Allës, nuk do të ketë të gatshëm të paktën për dy javë edhe kapitenin Ylli Shameti, i cili ka një dëmtim në dorë dhe duhet ta vërë në allçi.
Për këtë arsye gjirokastriti u zëvendësua pak pas fillimit të pjesës së dytë të ndeshjes me Kamzën.
Të dy mungojnë të mërkurën ndaj Tiranës, ndërsa për Partizanin shpresohet të kthehet Alla.
Trajneri Pakult nuk ka përtypur dot golin e pësuar ndaj Kamzës dhe vetëm pak minuta pas atij momenti ai uli në stol kroatin Zhderiç, i cili gaboi në atë rast. Mbrojtja e kampionëve ka shumë probleme.