Lulzim Basha duket se ka zgjedhur të marrë rolin e viktimës.
I pyetur lidhur me zërat kundër në PD dhe kritikët e vendimmarrjes së tij, Basha thotë se po bën çdo tentativë që çdokush të gjejë veten e tij në procesin ku PD ka hyrë.
Basha i ka cilësuar kritikat ndaj tij si një sulm që dëmtojnë Partinë Demokratike duke shtuar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, u mor vendimi për krijimin e një grupi për ndryshimet në statutin e partisë, ku u propozua edhe Arben Imami por ky i fundit refuzoi.
Ndërkohë, nga ana tjetër Basha është akuzuar nga kritikët e tij se ka përçarë partinë dhe e ka udhëhequr nga humbja në humbje. Madje, disa prej figurave historike e kanë quajtur atë si shkatërruesin e kësaj force politike ku në zgjedhjet e fundit shënoi humbjen më të thellë të historisë së saj 28 vjeçare.
“Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike dhe dëmtojnë Partinë Demokratike. Unë po bëj çdo përpjekje, që çdokush të gjejë veten e tij në procesin ku PD ka hyrë.
Sot mbledhja e Kryesisë ka caktuar Kuvendin Kombëtar, ku do të diskutohet statuti i ri i Partisë Demokratike. Partia t’i kthehet plotësisht anëtarëve. Ka ardhur koha që ne të aplikojmë standardin europian.
Ftesa ime ka qenë dhe mbetet që të vijnë dhe të negociojnë. Garancia që unë dua të shoh në statut është që vlerësimi për meritën e atyre që do kërkojnë besim për t’u bërë deputet, të vijë nga anëtarët përmes një sistemi”, deklaroi Basha.(TemA)