Vlen vetëm fitorja, nuk ka opsion tjetër për Teutën në sfidën e Roza Haxhiut përballë Lushnjës së vendit të fundit. Skuadra myzeqare pret vetëm matematikën për të zyrtarizuar rënien, dhe vjen pas 7 humbjeve radhazi por kursesi nuk mund të konsiderohet një kundërshtar i lehtë, pasi luan futboll dhe arrin të shënojë në vazhdimësi duke vënë në vështirësi serioze kundërshtarët.
Për më tepër Lushnja është superiore në përballjet direkte të këtij sezoni, ku ka barazuar në Durrës dhe fituar në shtëpinë e saj, me Fatjon Sefën që ka shënuar në të dyja përballjet duke e bërë Teutën një nga viktimat e saj të preferuara.
Për më tepër në kampin bregdetar, trajnerit Gentian Begeja do ti mungojë lojtari kryesor i skuadrës kapiteni Arbër Cyrbja , por të gjitha këto nuk mund të shërbejnë si alibi, me Vllazninë të shkëputur me 4 pikë, sfida ndaj Lushnjës duhet fituar me çdo kusht, për të rritur kuotat në luftën për mbijetesë e ushtruar presion te rivalët kuqeblu që të hënën do të ndeshen me Kukësin në Zeqir Ymeri.
Teuta vjen pas disa paraqitjesh të mira, skuadra ka dukshëm ngritje në lojë dhe madje dhe në rezultate ku ka pësuar vetëm një humbje në 5 ndeshjet e fundit dhe në takimin e fundit i iku për duarsh vetëm në fund një fitore ndaj Skënderbeut, por këtë herë presioni është i gjithë në kampin bregdetar, në Lushnjë, luhet një copëz e mirë mbijetese.