Vllaznia, Gjoka: Në Kukës na kënaq barazimi, s’besoj se Teuta bie nga Superiorja

18 Mars 2018, 13:28Sport TEMA

Pas barazimit me Partizanin, Vllaznia ndeshhte me një tjetër ekip të fortë, Kukësin, por këtë herë në transfertë dhe vështirësia është e dyfishtë.

Trajneri Ernest Gjoka, në konferencën për shtyp u shpreh se barazimi do të ishte mirë për Vllazninë.

 

“Kemi kaluar dy ndeshje të vështira, por edhe kundër Kukësit është shumë e vështirë, sepse luajmë me kampionët e Shqipërisë. Ata nuk po kalojnë një moment të mirë dhe jemi përgatitur si duhet. Kam besim se do të marrim rezultat pozitiv.

Malota? Mungesa e tij është problem shumë i madh. Na mungon një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm dhe shpresojmë ta zgjidhë sa më shpejt çështjen që ka. Mungesa e tij prish lojën e Vllaznisë, pasi kishim ekuilibër me të në prapavijë, ku ai është lider.

Të gjitha ndeshjet kanë specifikat e tyre. Fazën e parë ishim në avantazh të dy golave dhe u barazuam, kurse në Shkodër u mundëm 1-3. Ajo humbje na goditi jo pak psikologjikisht.

Për nesër besoj se, nëse zbatojmë detyrat tona dhe sillemi si duhet, mund t’ia dalim për të marrë pikë. Vazhdoj të mendoj se Teuta është një rrezik për ne. Nuk mendoj se ajo do të bjerë nga Superiorja. Duhet të kapim ekipet e tjera dhe të qëndrojmë larg durrsakëve.

Do të na kënaqte dhe barazimi në Kukës, humbja duhet shmangur. Vucaj nuk mund të sakrifikojë, kurse për Krymin do të shohim. Vllaznia B? Jam njeri i sportit dhe më vjen turp të dëgjoj të tilla situata. Duhet një dorë e fortë, nëse fjalët janë të vërteta, duhet të merren masa”, – theksoi trajneri i Vllaznisë, Gjoka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje