Erkand Qerimaj tërhiqet nga Europiani, ja arsyet

28 Mars 2018, 12:10Sport TEMA

Shqipëria humbet një kandidat potencial për kampion europe. Erkand Qerimaj është tërhequr dhe nuk do të marrë pjesë në kampionatin europian që po zhvillohet në Rumani.

Peshëngritësi shkodran pas analizave të detajuara të kryera nga mjekë të specializuar ka vendosur të braktisë këtë eveniment, pasi nuk është në gjendje fizike për të garuar. Mjekët në Rumani kanë evidentuar infeksion në tendinat e të dy gjunjëve, duke i ndaluar konkurrimin kampionit të Eeropës dhe medalistit në Kupën e Botës.

Shtangisti shkodran duhet të ngjitej në pedanë ditën e enjte, kur pritej një duel shqiptarësh me Godellin në peshën 77 kg. Ndërkohë, i pari kuqezi që garoi në këtë europian ishte Romario Avdijaj në peshën 62 kg.

Ai u rendit i fundit në shkëputje dhe nuk u klasifikua në dygarësh për shkak të një dëmtimi që nuk e lejoi të vijonte konkurrimin. Avdijaj ngriti fillimisht në shkëputje 110 kg, më pas dështoi në tentativën e dytë dhe të tretë, duke u dëmtuar në gju dhe në dorë.

Në shtytje peshëngritësi kuqezi u tërhoq duke e pasur të pamundur të garonte. Sonte në mbrëmjë në pedanë do të ngjiten dy peshëngritës, nga të cilët pritet shumë. Briken Calja, që vjen nga një vend i 4-t në kampionatin botëror dhe Arbër Çerçizi nënkampion europe për moshat nën 23 vjeç do të synojnë medalje në kampionatin europian që po zhvillohet në Rumani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje