Lushnja do të ndryshojë sërish trajner, në Kategorinë e Parë e drejton Çuko

2 Maj 2018, 16:08Sport TEMA

Lushnja e sezonit të ardhshëm do të ketë një organizim ndryshe, në mënyrë që jo vetëm të sigurojë kthimin në Superiore, por të jetë më e përgatitur për të bërë një përfaqësim dinjitoz në elitën e futbollit shqiptar.

Burime pranë klubit lushnjar bëjnë të ditur për “Vipsport.al” se riorganizimi, sipas të gjitha gjasave, do të prekë edhe stolin, edhe pse është thënë se trajneri aktual, Ilir Gjyla, ka marrë “ok”-in e drejtuesve për të ndërtuar Lushnjën e Kategorisë së Parë.

Nga të njëjtat burime mësohet se stoli lushnjar do t’i besohet Dritan Çukos, i cili në fakt e drejtoi skuadrën gjatë këtij sezoni në disa ndeshje, në periudhat e ndërrimet të trajnerëve. Çuko nuk disponon licencën e duhur për të drejtuar në Superiore dhe në lëvizjen e fundit drejtuesit e Lushnjës vendosën për emërimin e Ilir Gjylës.

Çuko është regjistruar aktualisht në kurs për të marrë licencën, që e lejon të drejtojë një ekip në Kategorinë e Parë, kështu që në verë ai pritet të marrë drejtimin e skuadrës lushnjare dhe të formojë grupin, me të cilin do të synojë kthimin në Superiore. Gjyla do të jetë në krye të Lushnjës edhe në 5 ndeshjet e këtij kampionati. Ky është plani i klubit lushnjar për të ardhmen.

Gjatë këtij sezoni Lushnja ka bërë disa herë lëvizje në stol. E nisi kampionatin me Artan Banon, për të vazhduar më pas me Hysen Dedjan dhe Ilir Gjylën, ndërkohë që në disa ndeshje skuadra është drejtuar edhe nga Dritan Çuko.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje