Prof. Fatos Tarifa
59 vite më parë, në një prej librave më të famshëm, më të lexuar, më të ribotuar, të përkthyer në më shumë gjuhë dhe më të cituar në fushën e shkencave sociale, titulluar Imagjinata sociologjike (The Sociological Imagination), sociologu amerikan C. Wright Mills vinte në dukje se kërkimi sociologjik deri atëherë ishte prirur më shumë nga kërkesat që buronin prej preokupimeve burokratike, sesa nga preokupimet intelektuale të shoqërisë.
Sipas tij, studimet sociologjike e kishin përqendruar vëmendjen e tyre në akumulimin e fakteve që synojnë lehtësimin e vendimeve administrative dhe fare pak u kishin kushtuar vëmendje problemeve reale të shoqërisë dhe, sidomos, preokupimeve teorike lidhur me to.
Mills krijoi një vizion të ri mbi sociologjinë, si një disiplinë e angazhuar moralisht dhe politikishtnë mënyrë kritike për zgjidhjen e problemeve reale të shoqërisë, arsye kjo, për të cilën ai u bë sociologu publik më me influencë në kohën e tij dhe, së bashku me sociologët e njohur David Riesman dhe Robert Bellah, konsiderohet si pararendësi i asaj që Michael Burawoy e ka quajtur “sociologji publike” (public sociology).
Koncepti mbi sociologjinë publike u bë një temë qendrore në debatin sociologjik bashkëkohor në mesin e viteve 2000, kur Michael Burawoy e popullarizoi këtë frazë duke e bërë atë pjesë të një projekti të gjerë intelektual, si asnjë sociolog tjetër qysh nga koha kur C. Wright Mills, circa1950-1960, e projektoi për here të parë.
Debati mbi sociologjinë publike mori shkas nga perceptimi i kushteve të shoqërisë bashkëkohore, tipare të së cilës janë bërë zhvillimi i parregulluar i kapitalizmit dhe një globalizim asimetrik, të cilët krijojnë tiraninë e tregut dhe pabarazi të skajshme në të gjitha anët e globit.
Ndërkohë, demokracitë e reja që krijohen, shumë herë s’janë veçse një vello për të mbuluar interesa të fuqishme, deprivimin dhe tjetersimin e masave shumë të gjera të popullsisë. Në këtë kuadër, ky debat sjell në vëmendje çështjen e vlerave të sociologut dhe të rolit që duhet të luajë sociologjia në kohën tonë.
Edhe pse debati në fjalë ka nisur qysh kur Max Weber artikuloi idenë e një shkence sociale të “çliruar nga vlerat”, ishte C. Wright Mills, “kampioni i sociologjise publike klasike”, siç e ka cilësuar atë vetë Burawoy, ai që shënoi kthesën e parë nga sociologjia instrumentaliste në sociologjine publike. Mills kritikoi ashpër sociologjinë profesionale të viteve 1950 për irrelevancë, për përpjekje të dështuara në krijimin e një “grand theory” dhe për empiricizëm të pakuptimtë, që i ndante të dhënat emirike nga konteksti i tyre. Në dallim prej saj, sociologjia, argumentonte Mills, ka një mision: të shërbejë si një medium për një debat shoqëror kritik, në të cilin të angazhojë publikun e informuar. Detyra e sociologjisë, sipas tij, është që të ofrojë një vështrim kritik mbi realitetin shoqëror aktual për t’u shërbyer qytetarëve që të kuptojnë kushtet sociale të shoqërisë së tyre.
Mills i çmonte sociologët klasikë europianë (Marx, Durkheim dhe Weber) si modele të sociologjisë publike.
Ata, sipas tij, ofruan këndvështrime të tilla të historisë, të cilat ndihmojnë për të kuptuar pasojat e zhvillimeve të sotme lidhur me shkallën e lirisë së individit dhe zhvillimin e demokracisë. Edhe pse sociologët klasikë europianë, pothuajse pa përjashtim, e vinin theksin në objektivitetin e dijes sociologjike, Mills e shihte këtë si vlerësim nga ana e tyre për realitetet empirike.
Vetë ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga bindja se analizat sociale nuk mund të zhvishen nga vlerat dhe angazhimet politike dhe morale të sociologut. Sipas tij, që të jetë efektive, sociologjia duhet të jetë njëherësh e fokusuar në realitetet empirike të jetës shoqërore dhe pasionante në rolin e saj kritik në shoqëri.
Mills mendonte se, ajo që e dallon mendimin sociologjik efektiv nga një mendim i cili dështon të pasqyrojë vërtetësisht realitetin shoqëror, është imagjinata sociologjike. Në të vërtetë, ai e cilësonte sociologjinë si një akt të imagjinatës sociologjike. Por, ç’kuptonte Mills me “imagjinatë sociologjike”?
Sipas tij, imagjinata sociologjike është thjesht ajo “aftësi e mendjes” sonë, e cila na lejon të kuptojmë “historinë dhe biografinë si edhe marrëdhëniet mes tyre në shoqëri”, si një kusht për të kuptuar ç’ndodh në botën shoqërore që na rrethon dhe për të shpjeguar atë që ndodh.
Ai argumentonte se imagjinata sociologjike i mundëson individit që e zotëron atë të kuptojë kontekstin e gjerë historik në të cilin ky individ jeton dhe vepron, si edhe rëndësinë që ka vetë ky kontekst në jetën e individëve të ndryshëm dhe në veprimtarinë e tyre.
Shumë herë, në vorbullën konfuze që krijojnë eksperiencat tona të përditshme, individuale e shoqërore, mund të ndodhë që çdonjëri nga ne të formojë një përfytyrim iluzor mbi pozitën e vet në shoqëri dhe, ipso facto, të mos kuptojë vendin që zë dhe rolin që luan ai realisht në shoqërinë e tij.
Faktin që ne të gjithë, shkruante Jay Weinstein, jemi njëherësh qenie individuale dhe sociale, unike dhe të zakonshme, private dhe publike dhe, si individë, zemë një pozitë të caktuar në strukturën e shoqërisë, na ndihmon ta kuptojmë pikërisht imagjinata sociologjike, të cilën Mills nuk e shihte si një atribut vetëm të njerëzve që merren me studimin e shoqërisë, por si një cilësi që mund ta zhvillojë kushdo.
Përmes saj, ne arrijmë të kuptojmë lidhjet dhe ndërveprimin mes biografisë së çdonjërit nga ne dhe zhvillimeve e tendencave historike kryesore të kohës sonë, midis preokupimeve tona personale dhe çështjeve sociale bashkëkohore.
Mills shkruante: “Fryti i parë i kësaj imagjinate dhe mësimi i parë i shkencës sociale që mbështetet në të është ideja se individi mund t’i kuptojë eksperiencën dhe fatin e tij vetëm duke e vënë veten në kontekstin e kohës së tij; se ai mund t’i kuptojë shanset që ka në jetë vetëm nëse kupton shanset që kanë edhe individë të tjerë në kushte të njëjta me të”.
Wright Mills argumentonte se, për të përmbushur premtimin e saj, sociologjia kërkon nga ata që merren me studimin e jetës së shoqërisë që të fokusohen në problemet esenciale të saj dhe t’i trajtojnë këto probleme të lidhura me tiparet strukturore dhe historike të sistemit sociokulturor që studiojnë.
Këto tipare kanë kuptim për çdo individ dhe ndikojnë jashtëzakonisht shumë në vlerat, në karakterin dhe në sjelljen e individëve konkretë, të cilët janë pikërisht ata që, me karakteristikat e tyre, përbëjnë një sistem të dhënë sociokulturor. Siç shprehej Mills, sociologjia synon ta vendosë arsyen në shërbim të çështjeve humane dhe të problemeve reale të shoqërisë.
Për të përmbushur këtë rol dhe misionin publik të sociologjisë, ai sugjeronte që të “evitohet burokratizimi i mëtejshëm i arsyes dhe i diskutimeve”, pasi kjo mund të çojë në një kontroll gjithnjë e më të madh si mbi individin, ashtu edhe mbi organizatat në shkallë të gjerë dhe të krijojë një “racionalitet pa arsye” (rationality without reason), i cili “nuk është i barabartë me lirinë, por është shkatërruesi i saj”. Mills shkruante: “Ajo që sugjeroj unë është se, duke u marrë me çështje dhe shqetësime sociale dhe duke i formuluar ato si probleme të shkencës shoqërore, ne kemi shansin më të mirë, madje, unë besoj të vetmin shans, për ta bërë arsyen demokratikisht të dobishme për çështjet humane në një shoqëri të lirë, për të realizuar në këtë mënyrë vlerat klasike që frymëzojnë atë çka premtojnë studimet tona”.
Shqipëria socialiste—larg Perëndimit dhe jashtë “fshatit global”
Vepra e C. Wright Mills ka qenë dhe mbetet frymëzuese për shumë sociologë dhe studiues të tjerë të jetës shoqërore kudo në botë. Idetë e tij kanë frymëzuar edhe autorin e këtyre radhëve që nga koha kur unë u njoha për herë të parë me to një çerek shekulli më parë. Ato vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si unë e imagjinoj sociologjikisht realitetin shoqëror dhe në këndvështrimin prej nga i përqasem atij për ta studiuar. Natyrisht, cilido nga ju, lexues të nderuar, e ka këtë “aftësi të mendjes”, të cilën Mills e quante “imagjinatë sociologjike”, për të kuptuar “historinë dhe biografinë, si edhe marrëdhëniet midis tyre në shoqëri”. Kjo “aftësi e mendjes” na ndihmon të kuptojmë dhe të shpjegojmë se çfarë ndodh në realitetin shoqëror në të cilin jetojmë. Biografitë personale, sociale dhe intelektuale të gjithësecilit prej nesh nuk mund të kuptohen pa, ose jashtë kontekstit historik të zhvillimit sociokulturor të shoqërisë shqiptare, në të cilën jemi rritur dhe socializuar.
Unë jam lindur në vitin 1954, dhjetë vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së sistemit të socializmit shtetëror në Shqipëri. Periudha e shkollës së mesme për mua filloi në vitin 1969 dhe vazhdoi deri më 1973. Kjo ishte koha kur në Amerikën e Veriut dhe në Europën Perëndimore ndjeheshin akoma fuqishëm efektet tronditëse të lëvizjeve studentore, të revolucionit seksual, të lëvizjes për të drejtat e njeriut, të lëvizjes feministe dhe të protestave kundër luftës në Vietnam, të cilat, bashkërisht, i çelën rrugë një kulture libertine dhe ndryshimeve politike radikale në Perëndim.
Në Shqipëri, pas një periudhe shumë të shkurtër liberalizimi kulturor, e cila u duk se i dha fund një minirevolucioni kulturor të importuar nga Kina në gjysmën e dytë të viteve 1960, duke filluar nga fundi i vitit 1972 diktatura komuniste shtypi dhunshëm çdo manifestim të lirisë krijuese në arte, në muzikë e në letërsi, duke shuar te ne, të rinjtë e asaj kohe, çdo shpresë për liberalizimin dhe hapjen e kulturës e të shoqërisë shqiptare. Ndërsa në Perëndim kjo ishte epoka e “Rock-and-roll”-it, e Bitëllsave dhe e eksperimentimeve nga më të frytshmet në fushën e krijimtarisë letrare, muzikore e artistike, në Shqipëri kjo periudhë ishte ajo e censurës më të ashpër në këto fusha.
Në Perëndim, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Francë, në Angli, në Hollandë dhe në Gjermani, kjo periudhë frymëzoi një zhvillim dhe popullarizim të jashtëzakonshëm të sociologjisë e të shkencës politike. Në SHBA, madje, sociologjia u bë, në një kuptim real të fjalës, pjesë e kulturës së përditshme, ose e asaj që quhet “kulturë popullore” (popular culture, ose pop culture). Qindra mijëra studentë amerikanë e mësuan atë në kolegje dhe universitete; mijëra libra sociologjikë u botuan në paperback, duke u bërë pjesë e një literature të gjerë për klasën e mesme, literaturë e cila shitej kudo: në stacione hekurudhore, në aeroporte, etj. Kjo ishte, gjithashtu, periudha kur sociologjia amerikane, e cila deri atëherë e kishte pasur “qendrën” e saj—dhe ishte zhvilluar kryesisht—në Universitetin e Çikagos, në Harvard dhe në Kolumbia, tani, në mesin e viteve 1960, u zhvendos në Universitetin e Kalifornisë, në Berkli, universitet i cili, siç shkruan Alvin Gouldner në librin e tij të njohur Kriza e ardhshme e sociologjisë perëndimore, u bë avangardë e lëvizjes studentore dhe e radikalizmit të majtë. Ndërkohë, në Shqipërinë komuniste, sociologjia konsiderohej një pseudoshkencë, ose, edhe më keq, si një shkencë “borgjeze”. E vetmja teori mbi shoqërinë, (e cila inkorporonte filozofinë, shkencën politike dhe sociologjinë), ishte materializmi historik, i cili, ashtu si në Bashkimin Sovjetik dhe në shumicën e vendeve të Europës Lindore, u bë, siç shprehet Gouldner, “sociologjia partiake e intelektualëve”.
Në Perëndim, kjo ishte periudha që lindi të Majtën e Re (the New Left), term ky i përdorur për herë të parë pikërisht nga C. Wright Mills. Ky fenomen, siç ka argumentuar Alvin Gouldner, u stimulua dhe u energjizua pikërisht nga infiltrimi i sociologjisë në kulturën popullore, nga influenca e saj në revoltat studentore, si edhe nga roli që luajti në atë kohë një sociolog i tillë, si C. Wright Mills, në artikulimin e sentimenteve të radikalizmit të ri amerikan. Në Shqipëri, kjo periudhë shënoi fillimin e një fushate të re represive në politikë dhe në çdo sferë të jetës shoqërore.
Në një kohë kur shoqëritë perëndimore po bëheshin gjithnjë e më të hapura në një botë që globalizohej nga dita në ditë dhe që, po të përdorim shprehjen e filozofit kanadez, Marshall McLuhan, po shndërrohej në një “fshat global” (global village), Shqipëria po mbyllej e vetizolohej gjithnjë e më shumë pas “perdes së hekurt”, që e ndau atë për gati një gjysmë shekulli nga qytetërimi perëndimor.
Në një kohë kur në Perëndim po formoheshin dhe konkuronin shkolla të reja të mendimit politik e shoqëror, në Shqipëri, marksizëm-leninizmi, i kalcifikuar dhe i dogmatizuar si teori dhe praktikë në eksperiencën sovjetike dhe atë kineze, u deklarua me kushtetutë si “ideologji sunduese”, edhe pse, në fakt, ajo ishte e vetmja ideologji e lejuar në vend.
Antisociologjizmi komunist
Këto ishin, në vija të përgjithshme, rrethanat historike e politiko-shoqërore në të cilat unë dhe brezi im u rritëm, u arsimuam dhe u socializuam në Shqipëri. Unë e kam pasur dhe e kam pasion studimin e jetës së shoqërisë dhe të problemeve të saj. Në moshë të re më mrekullonte studimi i historisë. Në universitet, ishte filozofia ajo që pushtoi imagjinatën dhe horizontin tim kulturor. Në sociologji, unë erdha relativisht vonë në karrierën time, pjesërisht për shkak të një rrethane rastësore, përmes së cilës e “zbulova” këtë disiplinë, por kryesisht për shkak të një zgjedhjeje të ndërgjegjshme për të lënë studimet akademike në fushë të historisë së filozofisë dhe për t’u angazhuar tërësisht në studimin e problemeve aktuale të realitetit shoqëror. Atëherë, por edhe sot, unë e vlerësova dhe e vlerësoj sociologjinë, veçanërisht “imagjinatën sociologjike”, si një faktor për zgjerimin e dimensioneve të lirisë për mua vetë dhe për shoqërinë shqiptare. Gjatë këtij më shumë se një çerek shekulli që unë i jam kushtuar mësimdhënies së sociologjisë dhe studimeve në këtë fushë, tek unë është përforcuar edhe më shumë bindja që shprehte, plot një shekull më parë, Lester F. Ward, një ndër themeluesit e sociologjisë amerikane, se “sociologjia është një shkencë e çlirimit dhe jo e kufizimit”.
Në fundin e viteve 1980 i thellova njohuritë e mia në këtë fushë, ndërkohë që nisa t’ua mësoj sociologjinë, si një disiplinë të veçantë, të shkëputur nga materializmi historik, studentëve të mi në Universitetin e Tiranës. Për fat të keq, unë dhe moshatarët e mi nuk patëm mundësi ta studionim sociologjinë në shkollat shqiptare, pasi këtu, siç vura në dukje më sipër, gjatë viteve të shkollimit të brezit tim, e vetmja “sociologji” konsiderohej se ishte doktrina marksiste. Interdikti që u kishte vënë regjimi i atëhershëm shkollave dhe doktrinave filozofike e sociale, klasike ose moderne, si edhe mungesa thuajse e plotë e lirisë akademike, e bënin shumë të vështirë formimin dhe përparimin profesional të studentëve dhe të studiuesve shqiptarë në këto fusha.
Në atë kohë, të gjithë ne, studiuesit e shkencave sociale, pavarësisht shtatit të ndryshëm që kishim, duhej të vishnim të njëjtin kostum, të prerë njëlloj, dhe të mbanim të njëjtën kapele, e cila na identifikonte të gjithëve si marksistë. Sepse askush nuk mund të ishte antimarksist, ose jomarksist, nëse dëshironte të kishte një punë, të merrte një rrogë, të kishte shokë, me një fjalë, të jetonte i lirë.
Regjimi komunist në Shqipëri ishte thellësisht antisociologjik ne ethosin e tij dhe armiqësor ndaj vetë idesë së “shoqërisë”. Diversiteti i mendimeve dhe i interpretimeve mbi realitetin shoqëror tolerohej vetëm brenda kornizës që ekspozonte tablonë marksiste, materialisto-historike të botës. Jashtë kësaj kornize nuk mund të kishte shpjegim tjetër shkencor të realitetit shoqëror. Çdo shpjegim që binte në kundërshtim me teorinë marksiste ishte “pseudoshkencor”, ose “antishkencor”, apo më keq akoma, “regresiv” dhe “reaksionar”. Nga ana tjetër, uniformiteti i mendimeve konsiderohej një shenjë e unitetit të shoqërisë, njëlloj si rezultati 99.99 për qind që siguronte Partia e Punës, e vetmja parti politike në vend, në votime për kandidatët e saj të Frontit Demokratik.
Ç’u bënë marksistët shqiptarë?
Çudia ndodhi thuajse overnight. Të gjithë ata studiues të shkencave shoqërore që kishin qenë “marksistë”, sidomos ata, të cilët deri atëherë i kishin rënë gjoksit me grusht për të treguar se ishin “marksistë të betuar”, u bënë “antimarksistë” sapo sistemi politik ndryshoi. Njerëz të tillë, Adam Michnik i ka stigmatizuar duke i quajtur “dhelpra që ndërrojnë lëkurën sipas rrethanave”. Karl Marx, mësuesi ynë i madh dhe i vetëm deri atëherë, u bë papritur, sa hap e mbyll sytë, një mendimtar “pa vlerë”, madje një njeri i urryer, mbi të cilin u hodhën të gjitha mallkimet për vuajtjet dhe prapambetjen e shqiptarëve në sistemin komunist. Një ngjarje e asaj kohe e ilustron këtë më së miri.
Në vjeshtë të vitit 1991, më vizitoi në Tiranë mikja ime, Barbara Heyns, profesore e sociologjisë në Universitetin e Nju Jorkut. Heyns erdhi në Tiranë nga Varshava, ku punonte në atë kohë me një grant “Fulbright” për një projekt mbi reformën arsimore në Poloni. Ajo ishte sociologia e parë amerikane që vizitonte Shqipërinë dhe unë, domosdo, e ftova të mbante një leksion në një prej klasave të mia në Fakultetin atëherë të sapokrijuar të Filozofisë dhe Sociologjisë. Ajo që më ka mbetur në mendje edhe sot, pas 22 vjetësh, është ky episod.
Barbara Heyns e nisi leksionin e saj me këtë pyetje, drejtuar studentëve të mi të sociologjisë: “Sa prej jush do të thonin se janë sociologë marksistë? Ngrini dorën”. Asnjë prej 30 e ca studentëve të mi nuk lëvizi dorën. Ata filluan të vështrojnë njëri-tjetrin në sy, pastaj mua, sikur të donin të siguroheshin se pyetja e sociologes amerikane nuk ishte një provokim. Heyns e përsëriti pyetjen e saj, këtë herë disi më ndryshe: “Asnjëri nga ju nuk është marksist?” Përsëri heshtje, të cilën Heyns e theu me këto fjalë: “Unë besoj se ju të gjithë e njihni Marksin dhe keni lexuar disa nga veprat e tij, apo jo?”. Disa nga studentët lëvizën kokat në mënyrë pohuese. Pas kësaj, Barbara Heyns iu drejtua studentëve me këto fjalë: “Kam qenë në Pragë, por asnjë nga studentët çekë të sociologjisë që kam pyetur nuk më ka thënë se është marksist. Kam qenë në Budapest dhe në Varshavë, por askush nga studentët e mi hungarezë dhe polakë nuk më ka thënë se është marksist. Vij tani në Tiranë, dhe askush nga ju nuk më thotë se është marksist. Çudi, ç’ka ndodhur kështu në Europën Lindore! Deri dje, të gjithë ishin marksistë; sot, askush nuk thotë se është i tillë. Ç’u bënë të gjithë marksistët? Ku janë ata sot?”. Dhe duke mos pritur përgjigje prej studentëve të mi, Heyns shtoi: “Në qoftë se dëshironi të dini se ku janë sociologët marksistë sot, duhet të vini në Nju Jork, në Berkli, në Medison apo në Çikago. Ata, të gjithë, janë në departamentet e sociologjisë të universiteteve amerikane”.
Në atë kohë, pra më 1991, edhe unë vetë i mora këto fjalë të Barbara Heyns jo fort seriozisht. Sidoqoftë, kur një vit më vonë, më 1992, m’u dha mundësia të punoja me një grant “Fulbright” në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Karolinës së Veriut, në Çapëll Hill dhe, pak kohë më vonë, të studioja dhe të mbroja po në atë departament doktoraturën në sociologji, kuptova se Heyns kishte pasur, deri diku, të drejtë. Në vitin 1992 m’u dha rasti të takohem për herë të parë, në zyrën e tij në Berkli (Kaliforni), me sociologun Michael Burawoy, një ndër sociologët marksistë më të shquar në kohën tonë, i cili, në vitin 2004, u zgjodh president i Shoqatës Sociologjike Amerikane, ndërsa në vitt 2010-2014 ka qenë president i Shoqatës Sociologjike Ndërkombëtare. Po më 1992, pata fatin të njihem me sociologun e shquar, të ndjerin Seymour Martin Lipset, në konventën vjetore të Shoqatës Sociologjike Amerikane, në Pitsburg, në të cilën Lipset u zgjodh president i kësaj shoqate. Përpara se Lipset të hiqte dorë nga marksizmi dhe nga pikëpamjet radikale të majta, ai, gjithashtu, kishte qenë një sociolog dhe politolog marksist.
Në vitin 1994, Peter Blau, i cili kishte qenë nxënës i sociologut të shquar Robert K. Merton, njërit prej sociologëve amerikanë më në zë në shekullin e 20-të dhe, vetë ai, Blau, një legjendë në sociologji, do të bëhej profesori im i teorisë sociale. Peter Blau, gjithashtu, erdhi në sociologji përmes teorisë marksiste dhe nuk e fshihte vlerësimin e tij për të. Më kujtohet, madje, se në një prej leksioneve të tij, kur e pyeta Prof. Blaun nëse, ashtu sikurse Isaac Newton dhe Albert Einstein krijuan secili një paradigmë të re në shkencat mbi natyrën, a mundej ai vetë të përmendte një emër, i cili, sipas tij, ka krijuar një paradigmë të re në shkencat mbi shoqërinë, Blau, pa u menduar shumë, tha: “Nëse mund të flitet për një paradigmë të re në shpjegimin e shoqërisë, e tillë, për mendimin tim, mund të konsiderohet vetëm paradigma që krijoi Karl Marx”.
Me dhe pa Marksin
Ishte në atë kohë, në mesin e viteve 1990 dhe në Karolinën e Veriut, që, falë sociologëve të tillë të shquar, si Peter Blau dhe Craig Calhoun, teoritë sociologjike klasike dhe ato bashkëkohore u bënë pjesë esenciale e formimit tim akademik. Studimi i tyre ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim të veçantë në veprimtarinë time studimore dhe në aktivitetin tim pedagogjik. I arsimuar në Shqipëri me teorinë marksiste, studimi i sociologjisë në Shtetet e Bashkuara dhe njohja me teoritë sociologjike klasike dhe ato bashkëkohore kanë qenë për mua një risocializim në shkencën sociale, çka bëri të mundur tek unë krijimin e mënyrave të reja të të menduarit për veten dhe për botën shoqërore në të cilën jetojmë. Për të ilustruar këtë proces risocializimi në shkencën sociale dhe në mënyrën e të kuptuarit të shoqërisë, mjafton të përmend sa larg janë dhe sa shumë ndryshojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e mia sot nga ato të tridhjetë viteve më parë, të shprehura në disa artikuj të botuar në shtypin shqiptar në fillim të viteve 1980.
Duke mos e mohuar kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë një mendimtar i tillë, si Karl Marx, në shpjegimin e faktorëve që përcaktojnë zhvillimin e shoqërisë, studimet në fushën e sociologjisë më kanë bindur se, përveç tij dhe teorisë marksiste, ka pasur dhe ka edhe mendimtarë dhe teori të tjera, të cilat kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar në shpjegimin e jetës së shoqërisë dhe të dukurive të saj.
Sociologjia, diktatura dhe demokracia
Nuk është e rastit që sociologjia lindi dhe u zhvillua më parë dhe më shumë në vendet e zhvilluara industriale e demokratike, në Europën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara. Po kështu, është e lehtë të kuptohet pse sociologjia është parë dhe shihet me dyshim dhe me frikë nga regjimet totalitariste e autoritariste. Ajo është konsideruar dhe konsiderohet e rrezikshme nga ato qeveri, të cilat i tremben kërkimit empirik dhe njohjes reale të fakteve të jetës sociale.
Në të kaluarën, sociologjia ka qenë e ndaluar t’u mësohej të rinjve në universitete, si nga regjime autoritariste të majta, ashtu edhe nga regjime të djathta, p.sh. në Shqipëri gjatë periudhës së socializmit shtetëror, në Kinë në fund të viteve 1960, në Greqi në të njëjtën kohë, kur këtë vend e sundonte junta e kolonelëve etj. Qëndrimi mohues dhe përjashtues ndaj sociologjisë ka qenë, gjithashtu, një tipar edhe i nazistëve, të cilët e urrenin këtë shkencë. Kjo u dëshmua më së miri pas ardhjes së tyre në pushtet, në vitin 1933, dhe deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kur sociologët gjermanë ose u vranë, ose u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre, duke u vendosur kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli. Pushtimi i Francës prej ushtrive naziste bëri që edhe shumë sociologë francezë, përfshirë edhe Claude Lévi-Strauss, të largoheshin (një pjesë e tyre përkohësisht) në Shtetet e Bashkuara.
Shembja e komunizmit dhe krijimi i një shoqërie të hapur e demokratike në Shqipëri kanë krijuar kushtet dhe nevojën e domosdoshme që sociologjia të zërë, më në fund, vendin e saj të merituar në shkollat dhe në universitetet shqiptare dhe që studimet sociologjike të bëhen pjesë e asaj lëvizjeje të re intelektuale dhe e rimëkëmbjes akademike që ka nisur në vendin tonë. Tradita e studimeve sociologjike, pedagogët dhe studiuesit tanë në fushën e sociologjisë, si edhe marrëdhëniet e sociologëve shqiptarë me komunitetin e gjerë ndërkombëtar të studiuesve të shkencave sociale janë të kufizuara.
Sidoqoftë, ato nuk mungojnë. Kuptimi bashkëkohor (modern dhe perëndimor) i rëndësisë që kanë sociologjia dhe studimet sociologjike në vendin tonë, vëmendja dhe mbështetja institucionale më e madhe se deri më sot për mësimin dhe zhvillimin e kësaj disipline në universitetet shqiptare, si edhe mbështetja financiare e projekteve studimore në fushën e dukurive sociologjike janë disa nga problemet dhe nevojat më të ndjeshme për sistemin e arsimit të lartë dhe atë të veprimtarisë akademike në këtë fushë në vendin tonë sot.
Kujt ja thua or mik? Harxhon kohen.
Shiko vendet nordike ku jane fale shpirtit social.
Sa per ne? Gjithmone kunder rrymes , drejt ekstremeve.
Marksin dhe teorine e tij e mohojne vetem ata qe nuk kane lexuar as nje rresht prej veprave te shkruara mbi shoqerine njerezore….ose duan te tregohen’anti-komuniste’ para eproreve te tyre ishkomuniste a bashkpuntore te fashizmit. per mendimin tim ‘marksizmin’ shoqeria komuniste e kishte vec per fasade pa teori alternative, dhe e kane deformuar ashtu si u interesonte.Ne perendim nuk kane nevoje te hiqen ‘antikomuniste’ prandaj edhe teorite sociale te Marksit studiohen pa paragjykime
NE KETU JEMI! Se shpejti do na e degjoni trumpeten dhe vrullin e ndryshimit ?
E ardhmja i perket komunizmit, nje shoqerie me te drejte dhe me te mire ?
(jam i sigurte qe INJORANTET as nuk e dine kuptimin e fjales komunist, e jo me te kene njohuri mbi ideologjine. Keta thjesht kane mesuar disa parrulla propagandistike qesharake anti-komuniste dhe thjesht e ngaterrojne ate me luften per pushtet )
Ke qende nga te paret qe e ke mohuar MARKSIN ……
Gabimi me I madh I Marksit ishte pretendimi se filozofia e tij nuk ishte thjesht shpegimi botes si me pare por transformimi I saj ne nje “kibuc cifut “ qe na u paraqit si e ardhmja e botes..
Gabimi me i madh i kesaj bote eshte qe IDIOTE si ty kane goje qe te flasin ?
Dhe te mencur si ty ta degjojne dhe te mesojne me shume
Te mencurit gjithmone mesojne dhe degjojne me shume o KOKTRASH ?
Natyrisht gjera te vlefshme, jo gomarsira Javerash ?
gabimi me i madh i kesaj bote eshte qe linden plehera enveriste si ato qe polli jot’eme
Ceshtja eshte se nje trupeshk si ty nuk di te dalloje gabimin nga bekimi ? ? ?
Sociologu me i mire eshte MIGJENI.
Edhe Migjeni ishte marksist!