Sondazhi: 62 për qind e njerëzve, opinion pozitiv për policinë

28 Maj 2018, 10:38Kronika TEMA

Në kuadrin e projektit “Monitorimi i opinionit publik në Qarkun Tiranë (krahasuar me qarqet e tjera) mbi rolin e policisë në jetën e përditshme të komunitetit”, të financuar nga Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet në Shqipëri (SCPA), AGENDA Institute zhvilloi në periudhën 21-25 maj 2018 sondazhin e parë elektronik, në serinë e sondazheve mujore të parashikuara në këtë projekt 12-mujor.

Sondazhi u realizua teknikisht nga statisticieni Eduard Zaloshnja, PhD. Metodologjia dhe gjetjet e këtij sondazhi janë përgjegjësi e autorit.

Nga sondazhi rezulton se mbi 60% e banorëve të qarkut Tiranë (16 vjeç e sipër) kanë opinion pozitiv për punën e policisë së qarkut të tyre.

Vetëm çereku i banorëve të qarkut kanë opinion negativ. Rezultate pothuaj identike vërehen në pjesën tjetër të vendit. Në rang republike, 62% e banorëve (16 vjeç e sipër) kanë opinion pozitiv për punën e policisë së qarkut të tyre dhe vetëm 26% kanë opinion negativ (12% kanë opinion asnjanës).

Deri më sot, SCPA ka zhvilluar vrojtime të thella statistikore me anketim në terren, në lidhje me opinionin e komuniteteve mbi punën e policisë në to.

Sado të vlefshme janë në terma afatgjatë, vrojtime të tilla kërkojnë shumë kohë për t’u kryer – nga dita që fillon anketimi deri në publikimin e rezultateve, mund të ketë kaluar një muaj.

Si rrjedhojë, ato nuk krijojnë mundësinë për një monitorim të vazhdueshëm të problemeve. Përmes projektit aktual, synohet të monitorohet çdo muaj opinioni i komuniteteve (në Qarkun Tiranë, krahasuar me qarqet e tjera) në lidhje me punën e policisë në to.

Vetë forma e sondazhit (elektronik) e krijon mundësinë për kryerjen e tij çdo muaj, brenda fare pak ditëve.

Në këtë mënyrë mund t’i jepet policisë një feedback i vazhdueshëm, që mund t’i vlejë asaj për përmirësimin e punës në komunitet.

 

2 komente në “Sondazhi: 62 për qind e njerëzve, opinion pozitiv për policinë”

  1. ?? says:

    BRAVO, policia!!

  2. ferdi says:

    Brravo policia rrespekte për punën që bejn në shërbim të komunitetit .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje