Një tjetër ikonë e medias televizive, zonja Tefta, i ka shkruar një letër inkurajuese Fevzos, duke e nxitur atë të marrë vendimin e madh për largimin nga Klani.
“I dashur Fevzo!
Lexova intervistën tuaj mbi largimin e mundshëm nga Klani. Ishte një intervistë origjinale që vetëm ti di ta bësh. Ashtu si në shkrimet e tua, t’i jepje dy opsione: Ose mund të largoheshe ose mund të mos largoheshe dhe e mbyllje me shprehjen “të shohim çfarë do ndodhë”.
Unë e kam pasur vetë këtë dilemë disa javë më parë, por e kapërceva. Edhe unë kisha 15 vjet që çdo ditë mësoja njerëzit si të bënin gjellë. Mijëra shqiptarë mbeteshin të mbërthyer pas ekranit që në pikë të mëngjesit që të shikonin emisionin tim. Pastaj vinte darka dhe shumë prej tyre, provonin dhe gjellën tënde.
Por unë e mora vendimin për t’u larguar nga ekrani jo se njerëzit nuk duan të mësojnë më si bëhen gjellët, por se kisha problem parimor me pronarin. Ai ka hapur restorant të vetin dhe nuk më përfill më mua, kur shërben gjellë atje. Ndërkohë që gjithë famën si pronar gjellësh ja kam sjell unë.
Të njëjtin problem shikoj dhe tek ty. Pronari jot, çdo gjellë politike që ka gatuar, e ka bërë përmes teje. Bashkë shkonit dikur tek Meta, bashkë shkonit dikur tek Nano, bashkë shkonit dikur tek Berisha, bashkë shkonit dikur tek Rama. Por kohët e fundit ai ka filluar e shkon vetëm tek Rama, se mendon që ti nuk i duhesh më, për atë punë që të ka marrë. Ky është skandal dhe është shkelje e parimeve kryesore për një ikonë televizive siç jemi ne të dy. Ti nuk mund ta lejosh atë të të poshtërojë. Nëse nuk i duhesh më, ti duhet të ikësh.
Për më tepër mendoj që Televizioni i ri që të ka bërë ofertën ka nevojë për ty më shumë në këtë drejtim. Unë e di që dhe zonja Vjollca (jo kjo rivalja me) dhe zotin Beni, kanë nevojë që t’i bësh bashkë me Ramën dhe të rikthesh shkëlqimin tënd si njeri që gatuan politikë. Ay dukesh thjeshtë si fjalëfolës dhe jo njeri i rëndësishëm.
Ky është një muaj i madh. U ndërrua qeveria në Spanjë, u ndërrua qeveria në Itali, mund të takohet Trumpi me Kimin, jam larguar unë nga emisioni dhe është shfaqur “Babalja”, dhe është përgjakur Bled Kasmi. Muaj më historik për t’u mbajtur mend se sa ky nuk mund të gjesh, ndaj të nxis të marrësh këtë vendim historik. Do të mbahet mend si muaji i largimeve të mëdha dhe emrat tanë do hyjnë në kalendarin enciklopedik të botës.
Me respekt Zonja Tefta!”
Nese Fevzi B. Faqeziu shkon te punoje sipas horelleqeve te tij ne Top Channel une nuk kam per ta pare kure kete kanal televiziv.
Fantastike! “…u ndërrua qeveria në spanjë, u ndërrua qeveria në Itali, mund të takohet Trampi me Kimin, jam larguar unë nga emisioni dhe është shfaqur Babalja….”. Kjo është vërtetë e hatashme… Merre me mënd çfarë gjelle politike gatuhet në Shqipëri, tamam ushqim për dërra. Vërtetë satirë brilante.