Raffaele Auriemma, gazetar italian, ka analizuar merkaton e Napolit dhe ndër të tjera ka sugjeruar që Ancelotti të marrë në skuadër portierin shqiptar të Lazio-s, Thomas Strakoshën.
Në “Si Gonfia la Rete”, emision në Radio CRC, ai ka dhënë edhe arsyet se pse napoletanët duhet të besojnë tek i riu shqiptar. “Napoli duhet të vërë bast mbi Strakoshën për portën, do të zgjidhte të gjitha problemet: është i ri, i fortë dhe në rritje konstante”, ka thënë Auriemma.
Për Strakoshën ky sezon në aspektin personal ka qenë mjaft i mirë, duke qenë një siguri për ekipin e tij, që vetëm në fund humbi mundësinë të luante në Champions League. Pas takimit me Inter-in pati edhe kritika për portierin e Shqipërisë, por vlerësimet për të përgjithësisht kanë qenë pozitive. Ai është përzgjedhur në lojtarët më të mirë të rinj në Seria A, duke qenë pjesë e formacionit më të mirë Under U22, ndërkohë që “Talent Radar” e ka përzgjedhur si “Portieri i ri më i mirë” në Evropë.
Lazio e pat marrë Strakoshën nga Panionios për rreth 100 mijë euro, ndërkohë që sot raportohet se Liverpool është i gatshëm të paguajë plot 30 milionë euro.
Paraqitjet e bëra në Seria A dhe në Europa League i kanë rritur ndjeshëm vlerat e portierit 23-vjeçar. Në sezonin 2015-2016 ai luajti si i huazuar te Salernitana dhe vlerësimet nuk ishin më të mirat për të, por më pas u rikthye në kryeqytetin italian dhe pas dy sezonesh ai është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm te Lazio.