Pëllumb Kulla
Larg atdheut, në një kënd të Kalifornisë, në ShBA, familjarë dhe miq janë mbledhur sot për t’i festuar të bukurën Ditë të Lindjes, shoqes tonë dashur, Zhaneta Petushit, mjeshtres sonë duarartë, që me artin e saj të veçantë e thuajse të pazhurmshëm tok me artiaastët e filmit, të televizionit dhe të skenës sjell në kujtesën e gjithëkujt figura dhe karaktere mbresëlënës gjatë disa dhjetëvjeçarëve.
Qëlloi rastësisht që në këto ditë, për arsye të tjera, opinioni publik u ndal gjerësisht në problemet e artistëve të skenës dhe këto radhë mbajnë akoma vëmendjen e përgjithëshme mbi prurjet e pavdekshme të Kadri Roshit, Sandër Prosit e Serafin Fankut me shokë, mbi të cilët imazhe, vuri dorë Zhani me artin saj të grimit (apo të makiazhit, si e njohin disa), një art i i pakapshëm për publikun e gjërë, por që meriton një vlerësim të lartë.
Grimiore dhe praktikisht bashkëpunëtore e ngushtë në prapavijën e realizimit të filmave më të njohur televizivë, me regjisorët Vladimir Prifti, Leka Bungo, Albert Minga, Vera Grabocka, Ylli Pepo, Pali Kuke e të tjerë, dora e saj ndihet tek ”Udha e Shkronjave”, “Plumba Perandorit” “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “ Korrierët”, “Dy krisma në Paris” dhe afro njëzet e ca filma, të shfaqur nëpër ekrane në repertorin e djeshëm e të sotëm, të pëlqyeshëm sot edhe në të ardhmen.
Kjo zonjë hodhi shtat artistik që në moshë të re, me hirin e rinisë së saj në fushën e baletit dhe të valleve, për të kaluar në lartësitë delikate të krijimit të portreteve, këtyre vitrinave që në veprat artistike të godasin të parat e mbeten pafundësisht në sytë e mendjes.
Me një formim kulturor të rrallë, porsi një bletë e palodhur mbi lulet më të fisme të letërsisë, që nga Kadareja ynë e deri tek kollosët botërorë, klasikë e bashkëkohës, si Dostojevskij, Franc Kafka, Dino Buxati e të tjerë, Zhani u formua si njohëse e thellë e karaktereve njerëzorë dhe specifikisht anatomisë dhe reliefit të fytyrave aq të ndryshme dhe aq tërheqëse, që i vinin para pasqyrave profesionale në studion e saj të makiazhit. Kësaj mjeshtre i vinin për ndihmë aktorët në krijimin e figurave të Zekthit (S. Fanku), të Ndrios (N.Luca), Avni Rustemit (F. Sela), ajo konsiderohet si bashkëkrijuesja e qindra – për të mos thënë mijëra! – portreteve të paharruar të aktorëve të filmit në ekranin e madh e të vogël, në skenat e teatrove dhe festivaleve të panumurt, koncerteve të Viteve të Rinj, që lanë gjurmë të paharrueshme. Zhani ka qenë faktikisht herë udhëheqëse dhe herë korrektuese e punës me grimimin e sa e sa artistëve. Duke qenë një artiste me kulturë të thellë, me veti të rralla krijuese, dhe një gjeneruese fantazie e jashtëzakonshme. Të gjithë mbajnë mend trokitjet e saj në zyrat “e mëdha” për importin e materjaleve bashkëkohorë, prodhimet e reja të botës. Është për t’u sjellë në mend bashkëpunimi i saj i merakosur me regjisorët, deri edhe me mjeshtrit e ndriçimit të skenës dhe shesheve të xhirimit. Ajo ka pjesën e saj në një varg të panumurt spektaklesh zbavitëse, në pallate sporti, të ndjekur nga mijëra e mijëra spektatorë. Dora e kujdesshme e Zhanit gjendet në realizimin e gjithë llojeve të filmave, të shkurtër dhe të gjatë të gjinisë, së komedisë dhe dramës. përmbi fytyrat e artistëve më të mirë të skenës dhe ekranit shqiptar, që nga Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Skënder Sallaku, Bujar Lako, Tinka Kurti, Luftar Paja, Koço Devole, Tano Banushi e shumë të tjerë.
Personalisht kësaj profesionisteje të shquar unë i detyrohem për sa e sa bashkëpunime dhe konsultime të pakursyera. Por në mënyrë të veçantë i detyrohem shumë për figurën kryesore të grimiorit (nga grimiore e shndërrova në grimior!) në romanin tim të dashur “Vdekja e Komandantit” Nga tregimi i saj real unë mora fillin për përshkrime dhe zhvillime fiktive në atë libër. Zonja Petushi ishte një autoritet profesional i mirënjohur thirrej në raste ekstra-artistikë dhe u thirr e para në ndihmë në një situatë zie kombëtare, teksa zyrtarët e lartë komunistë dhe familja përgatisnin ditët e lamtumirës Enver Hoxhës dhe sidomos ekspozimin e tij në homazhet e organizuara rreth trupit pa jetë të tij.
* * *
Zhani sot ndodhet larg por puna e saj e pandërprerë mbetet atje, ku ajo u përkushtua në morinë e veprave që shfaqen në atdhe tek emrat më të rëndësishëm krijues, nën sfond muzikor ngjiten përpjetë nëpër ekrane. Unë dhe ime shoqe në këto vise takohemi shpesh me Petushin dhe me artistë të tjerë. Kuptohet që e shkuara jonë artistike është lënda e bisedave rreth tryezave, apo nëpërmjet telefonave.
E në rast se Ditëlindjet e miqve të dashur, kolegëve që shënojnë vlera me peshë, do t’i quajmë festa edhe për ne, atëherë le ta marrin vesh të gjithë, që në familjen tone, sot ne kemi një ditë feste!
Më shumë akoma: ftojmë të gjithë artistët e skenës dhe ekranit kudo që janë t’i ngrejnë dhe ata gotat për Zhanin tonë që mbushi plot 80 vjet!
Dhe ime shoqe, një aktore e mike e Zhanetës, më siguron duke më thënë: “kurrë nuk kam qenë më e sigurtë se ftesa jonë do të dëgjohet, pasi ka aq shumë Zhani në fytyrat tona gjatë viteve!”
Jetë të gjatë, o artiste e artistëve!
Edhe 100,
per Zhanin,
shendet, harmoni, mbaresi,
nga Toronto!