"Mendime për juritë letrare-duke marrë shkas nga ajo e Çmimit Kadare"

30 Qershor 2018, 15:13Kulturë TEMA

Nga Rudolf Marku*

Në një kohë që në shumë vende të botës, si një përkujdesje ndaj letërsisë dhe autorëve, ekzistojnë me dhjetëra në mos dhe qindra çmime letrare (po përmend veç ca syresh në Anglinë e sotme: Booker Prize, Man Booker Prize, British Book Awards, The people Book Prize, Somerset Maugham Award, The Orwell Prize, Wellcome Book Prize, Guardian First Book Award, Costa Prize …), në vendin tonë vitet e fundit duket se ambicien letrare po e mbizotëron përherë e më tepër çmimi “Kadare”. Këtë mund ta vësh re fare lehtë nga pjesëmarrja përherë e më shumë e autorëve në garën e fitimit të këtij çmimi të përvitshëm.

Edhe mendja më cinike nuk do ta anashkalonte faktin se ky çmim është ngritur veç pak vite më parë falë përkujdesjes së fondacionit “Mapo” dhe themeluesit të çmimit dhe bashkëthemeluesit të UET-it, Henri Çili.

Është e pritshme që shpallja e fituesit të përvitshëm të krijojë pakënaqësi të menjëhershme. Julian Barnes, një fitues i Booker Prize, e pat shprehur këtë pakënaqësi të përbotshme ndaj çdo çmimi letrar, me këto fjalë: “Pritshmëria e shpalljes së fituesit i luan nga mend botuesit me shpresën se shtëpia e tyre botuese do të jetë fituese; i luan nga mend shitësit e librave me ndjenjën e lakmisë së fitimit; i luan nga mend anëtarët e jurisë me ndjenjën e pushtetit; fituesin e luan nga mend me krenarinë; humbësit, ata autorë që paraqitën veprën e tyre dhe nuk fituan, madje dhe autorët shortlisted, si dhe çdo autor tjetër të vendit, i luan nga mend me zilinë dhe zhgënjimin e thellë se nuk qenë ata vetë fitues”.

Me pak fjalë, sipas Julian Barnes, një ҫmenduri e vërtetë! Dhe kjo pakënaqësi për Booker Prize mund të shtrihet te çdo çmim tjetër. Do të përmendja shkarazi se si shpallja e Bob Dilanit si fitues ngriti në mbarë botën një stuhi pakënaqësish për Akademinë Suedeze të Çmimit “Nobel” …

Siç shihet, pakënaqësia ndaj shpalljes së fituesve të çmimit letrar nuk është një fenomen shqiptar. Aq më tepër se çmimet jepen në kohën e një relativizmi cinik në shijet estetike dhe në gjykimin e vlerave, një cinizëm i paparë në historinë e kulturës deri më sot.

Por le të vijmë te paneli i gjykuesve të çmimit “Kadare”, tek ata për të cilët Julian Barnes thotë “të luajtur nga mend nga ideja e pushtetit” (e pushtetit mbi veprën letrare që gjykojnë dhe mbi autorët e këtyre veprave).

Mendoj se, pavarësisht nga qëllimi fisnik, mecanatist dhe altruist i themeluesit të çmimit “Kadare”, ky çmim rrezikon seriozisht të dështojë pikërisht nga gjyqtarët panelistë. Deri tani nuk kam parë asnjë kriter në zgjedhjen e asaj që ne e quajmë juri.

Kam përshtypjen se juritë deri më tash kanë qenë një zgjedhje spontane e disa njerëzve të rekomanduar privatisht, pa asnjë sfond bindës akademik, estetik, gusto të lindur a të kultivuar letrare dhe personale.

Prezantimi pompoz dhe fals i jurive si personalitete menjëherë pas përzgjedhjes së tyre bën pjesë në paketën e dështimit të çmimit.

Edhe kur ndonjëherë më të rrallë ka qenë zgjedhur ndonjë kryetar jurie bindës në personalitetin e vet, ai ka qenë i rrethuar nga anëtarë të dyshimtë në shije dhe në etikë: le ta themi hapur, shumica e anëtarëve të jurisë nuk i lexojnë të gjitha veprat e paraqitura për konkurrim, duke inkurajuar atë traditë të mbrapshtë të së djeshmes e të së sotmes, të lavdërimit a të sharjeve të veprave letrare troҫ, me një arrogancë të paparë harbutërie dhe injorance, pa i lexuar aspak veprat për të cilat guxojnë të flasin! Në një kohë që leximi i veprës duhej të ishte dhe akti më i parë i një gjykatësi jurie, shoqëruar më pas me përpjekjen për ta ndier e kuptuar tekstin dhe tërësinë e tij.

Përpara se të zgjidhet juria, mendoj se duhet bërë një përzgjedhje e anëtarëve të saj në bazë të disa kritereve të përcaktuara që më parë. David Hume dhe Immanuel Kant na kanë inkurajuar me kohë që të mos dyshojmë se shijet estetike nuk janë dhe aq relativiste se ҫ’duan të na i shesin tregtarët e ligj të estetikës sot (Kanti besonte se gjykimi estetik nuk është thellësisht i ndryshëm nga përvoja e njohjes teorike të natyrës).

Mendoj se duhen shmangur me urgjencë tri kategori anëtarësh të mundshëm jurish: gjithë ata, të cilët deri më sot kanë treguar se, pavarësisht nga ambalazhi akademik i mbështjellë me letrat ngjyrosëse të titujve Doktor, Profesor, Kritik i njohur, Studiues, -shijet e tyre estetike dhe letrare janë jashtëzakonisht të dyshimta; këta studiues, të cilët duhen të jenë të parët që të jenë shortlisted për t’u larguar nga çdo juri letrare, u ngjajnë atyre gustuesve të verës që, tek shijojnë me sytë e mbyllur një gllënjkë uthull, kërcasin me lezet gjuhën duke thënë se ajo që sapo shijuan ishte një verë 20-vjeҫare “Bordeaux”; kategoria e dytë që duhet përjashtuar nga juritë mendoj të jenë ata studiues, kritikë dhe disa herë autorë që në të vërtetë nuk mund t’i akuzosh se nuk e njohin veprën e mirë, se nuk e njohin disi letërsinë; të cilët nuk mund t’i akuzosh se nuk kanë kulturë, se nuk dinë gjuhë të huaja; problemi me këta mëkatarë është se nuk duan ta pranojnë se një vepër e mirë është e tillë, vetëm ngase kjo vepër nuk është e shkruar nga ata vetë.

Nuk duan të pranojnë se ekzistojnë dhe vepra të mira, madje shumë të mira, përtej listës së autorëve që ata kanë lexuar gjatë gjithë jetës së tyre. Ziliqarë? Cinikë impotentë? Mospranues? Dijetarë të së keqes?

Oh, më duken se kjo është dhe kategoria më e frytshme në baltovinat intelektuale të shqiptarëve! Takticienë të shëmtuar që u ngjajnë atyre grave gjysmë të bukura, të cilat preferojnë të shoqërohen me një më të shëmtuar nga vetja për t’u dukur vetë më të bukura?

Dhe kategoria tjetër, ato që vijnë me fituesin e çmimit në kokë pa filluar t’i lexojnë veprat e paraqitura në konkurs (shpesh pa i lexuar as dhe më vonë dhe në asnjë kohë tjetër veprat për të cilat kanë dhënë gjykimin e vet!).

Anëtari i jurisë duhet të jetë njeri i stërvitur në leximin e mirë të letërsisë dhe të kulturës; duhet të ketë një instinkt të lindur të së bukurës estetike; duhet të ketë dhënë prova shkrimore se i ka dalë dhe i del zot së bukurës duke shkruar vetë bukur dhe me shije. Jo më sugjestione provinciale për tituj-pupla zbukurues të indigjenëve akademikë.

Vetëm te ne kemi kritikë letrarë dhe studiues letrarë që nuk kanë botuar qoftë dhe një libër të vetëm me kritikë dhe studime letrare dhe që janë kandidatët e parë për të qenë gjykatës të rreptë e të pakompromis të letërsisë.

Ajo që zakonisht mungon në kokat e penalistëve tanë është vizoni i gjerë i kuptueshmërisë së veprës letrare.

Është bërë e modës që kritikët penalistë të lavdërojnë veprën për një formë të bukur(!!!) apo të vlerësojnë shkrimësinë mjeshtërore të veprës!!!! Duket se kritika shqiptare (dhe jo vetëm ajo) ka marrë flamurin botëror të estetikës së kulluar duke e vendosur në brigjet e Spillesë a në kodrat e Rrogozhinës.

Çfarë mund të thoshin akademikët/studiues të jurive tona për motivacionin e fituesit Booker Prize “Mbetjet e ditës” të Ikazoo Ishiguros: “Suksesi i veprës qëndron në llojin e ri të zhanrit të romanit që Ishiguro sjell, një roman historiographical meta-fiction, një fiction që përpiqet të bëjë një pohim, një statement, se si historia është në të vërtetë një formë tjetër e narracionit!”

Vetë organizatorët e çmimit “Kadare” duhet të mendojnë që t’u japin prestigjin e munguar deri më sot veprave që janë më afër me veprën fituese (pa përmendur prestigjin e vetë veprës fituese).

E kam fjalën për dhjetë veprat që seleksionohen në fund. Janë vepra që është e udhës të trajtohen pothuajse njëlloj, me të njëjtin respekt, me të njëjtin fanfarë reklame dhe promovimi.

Nuk është fjala për një rrafshim monasterik vlerash, sesa për vetëdijen se ajo vepër që mori çmim dhe që udhëtoi në të njëjtën karrocë deri në stacionin e fundit me të nëntë veprat e tjera, duket se ndonjëherë pati thjesht më fat (në ҫfarëdo kuptimi që ka fjala fat në gjuhën shqipe) nga bashkudhëtarët e vet, me fat, fjalë që nuk është domosdoshmërish sinonime me fjalën meritë a vlerë.

Pa përmendur obligimin që ka kjo juri dhe vetë fondacioni “Mapo”, për mbrojtjen e dinjitetit të çdo shkrimtari pjesëmarrës dhe të vetë veprës së tij nga sulme talebanësh pseudo-gazetareskë të tipit Edison Ypi, një përzierje e çuditshme e marrëzisë, ligësisë njerëzore dhe dëlirit psikopatik, një specie që mund ta prodhojë veç përçudnimi i vendit tonë.

Ka shumë kritere për të vlerësuar objektivitetin dhe ndershmërinë e një çmimi letrar. Personalisht përherë e më tepër bindem se juria që shpall fituesin e çmimit nuk duhet vlerësuar nga vepra që zgjodhi për të fituar çmimin, sesa nga shqyrtimi ynë me kujdes i listës së veprave që nuk e fituan këtë çmim!

* Rudolf Marku është fitues i edicionit të parë të çmimit “Kadare”me veprën “Tri divorcet e zotit Viktor N.”.(mapo)

4 komente në ““Mendime për juritë letrare-duke marrë shkas nga ajo e Çmimit Kadare””

  1. vang says:

    Simbas atyre rrjeshtave qe lexova me duket se ky Marku nuk e ka dhe shume per respekt cmimin KADARE dhe habitem sepse per letersine ka edhe cmime te tjera ne Shqiperi per shkrimtaret,biles edhe jashe Shqiperise.Me tej Marku kalon tek juria.Nuk kam sigurine se ato qe thote jane apo jo te verteta,por se cfare dreqin ndjenje me ngjall se ai e ka me cmimin me shume se me procedurat qe lindin.

  2. Vetja says:

    Z. Marku, a mund te flisni me emra konkret? Kaq teorikisht sa e trajtoni ju, duke shkeputur mbase pjese nga Barnes, me ngjan me tipin e kategorise se pare qe duhet perjashtuar nga juria. Mos e ke hallin tek vetja? Te jesh ti dhe vetem ti? Ah, na ka Shkodra thona “m’ra vedja e m’kputi shpirtin”. ?
    Nuk e di si i thonk ju nga nen Shkodra.

  3. Termal says:

    Problemi eshte se ku do gjenden keta njerez, qe do te perbejne jurine, sipas kritereve qe parashtron Marku?. Ta zeme se u gjenden.Po a do te jene te gjithepranuar ata qe u gjenden. Mbas daljes se cmimeve ,te humburit do te thone te njejtat gjera qe po thote sot Marku.Do te kerkojne nje juri tjeter me kerkesa te tjera ….. domethene qe ti shpalle ata fitues.Po atehere si i behet? Duhet shume me teper kulture e virtut njerezor nga te gjitha palet pjesmarrese.Po prape do te kete mospelqime. Eshte ne natyren e cdo lloj konkurimi.
    Duket tej mase cinik dhe i padrejte sulmi ndaj Edison Ypit.Nuk kam njohje te plote per te.Me aq sa e njoh nuk eshte se me ka lene ndonje pershtypje shume pozitive pavaresisht se me eshte dukur interesant.Por vleresime te tilla kategorike, pa treguar qofte edhe arsyen me te vogel, por thjesht,se s’me pelqen mua ,apo se me ka kritikuar mua nuk tregojne profil dhe aq me vlera nga personi qe kerkon kaq shume vlera nga te tjeret.Madje me duket se artikulli eshte shkruar e vertitur ne menyre te tille qellimisht e vetem per te nxjerre mllefin e autorit ndaj Edison Ypit .

  4. Astriti says:

    Me vjen keq qe Kadareja ka pranuar te perdoret emri i tij ne kete cmim. Ky lloj konkurimi qe ben palacoja Cili me kompani eshte nje tallje dhe mashtrim i hapur. Pjesetaret e jurive nuk jane te gjithe aktive (e kam verifikuar vete ne edicionin e pare te tij, ku ky Dolfi mori cmimin si mik i tyre). Pervec kesaj, mos besoni kurre se i lexojne te gjitha doreshkrimet. Cdo gje eshte pazar, edhe sikur fituesi mund ta meritoje ate. Shperblimi ne para, fituesit i jepet ose i pergjysmuar, ose aspak. Kadare I Madh! Ju lutemi, terhiqeni emrin tuaj nga ky karagjozllek i palo Universitetit Europian dhe mos u besoni Cileve e Lelave!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje