"Që të mos përsëriten konferenca si ajo e Londrës"

29 Korrik 2018, 17:55Blog TEMA

Nga Albin Kurti

Sot, kur nëpër media lexojmë se si pushtetarë të lartë po merren vesh për “kompromise të dhimbshme”, nuk mund të mos kujtojmë historinë tonë. Para 105 vitesh, në 29 korrik 1913, u përmbyll Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Gjatë asaj konference fuqitë e mëdha u morën vesh ta ndanin pjesën ballkanase të Perandorisë Otomane mes Serbisë, Bullgarisë, Greqisë e Malit të Zi, dhe njëkohësisht i caktuan kufijtë e Shqipërisë duke lënë jashtë saj gjysmën e trojeve të banuara nga shqiptarët dhe rreth 40% të popullsisë shqiptare.

Sekretari i punëve te jashtme të Britanisë së Madhe, liberali Edward Grey i cili drejtoi punimet e Konferencës së Londrës, kur i raportoi parlamentit britanik u shpreh se ishte i vetëdijshëm se kushdo që do t’i shihte kufijtë në të ardhmen, do të ishte kritik ndaj tyre. Ai e përmbylli raportimin për Shqipërinë duke thënë: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë Fuqive të Mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë”. Me të tillë lehtësi të padurueshme ai justifikoi gjymtimin e Shqipërisë dhe kalvarin e gjatë ku po hynin shqiptarët, veç për të arritur paqen në Evropë. Për ironi të fatit, po i njëjti E. Grey, një vit më vonë raportonte para parlamentit britanik se “dritat po shuheshin” dhe se po fillonte Lufta e Parë botërore. Paqja pa drejtësi, nuk është e mundur!

Traktati i Londrës, nënshkruar më 30 maj 1913, përmbledh rezultatet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila u mblodh në dhjetor 1912 për të trajtuar çështjen e Shqipërisë që kishte shpallur pavarësinë pak ditë më parë, si dhe për të ndarë territoret e pushtuara nga fituesit e Luftës së Parë Ballkanike. Kjo konferencë u quajt “e paqes”, megjithatë para se ajo të përfundonte kishte nisur tashmë Lufta e Dytë Ballkanike, e pak pas përfundimit të saj nisi Lufta e Parë Botërore.

Serbia, Bullgaria, Greqia e Mali i Zi e kishin fituar pavarësinë e tyre kohë më përpara, dhe kishin ndërtuar kapacitete shtetërore, diplomatike e ushtarake. Ato ndihmoheshin nga Rusia, Franca e Britania. Ndërsa shqiptarët ishin vonuar shumë, duke shpresuar tek një perandori e sëmurë dhe pa të ardhme, siç qe ajo otomane. Kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë shpallje u përfaqësuan katër vilajetet me shumicë të popullsisë shqiptare, mirëpo pjesa më e madhe e këtij territori tashmë ishte pushtuar nga forcat ballkanike. Synimi i këtyre forcave ishte marrja e kryeqyteteve të vilajeteve, që shteti i ri shqiptar të mbetej pa qendra ekonomike dhe infrastrukturore. Kështu, Janinës ia mësyu Greqia; Shkodrës, Mali i Zi; Shkupit, Serbia; Manastirit, Bullgaria e Serbia; dhe Selanikut, ku po ashtu kishte popullsi të madhe shqiptare, Bullgaria e Greqia.

Në konferencën e Londrës shqiptarët ishin të papërfaqësuar. Nga fuqitë e mëdha, Austro-Hungaria kishte shprehur interesin e saj për të mos lejuar ekspansionin serb në Adriatik, e po ashtu Italia kishte shprehur interesat e veta në bregun lindor të Adriatikut. Kjo bëri të mundur që, së paku në breg të Adriatikut e deri në luginë të Drinit të Zi, të pranohej një shtet i cunguar shqiptar. Prej kryeqyteteve të vilajeteve, këtij shteti iu kthye vetëm njëri, Shkodra, edhe ajo e cunguar prej kufijve që e shkëpusnin nga hinterlandi i vet ekonomik.

Vonesat e mëdha historike dhe paaftësia politike për të gjetur gjuhën e përbashkët në të mirë të kombit, për pak sa nuk i la shqiptarët pa shtet, e në fund i la me një shtet sa gjysma e territorit ku ata ishin shumicë dërrmuese. Historia nuk fal, dhe rendja e politikanëve shqiptarë pas suksesit dhe pushtetit personal në perandori, e la të varfër e në mëshirë të fatit atdheun e tyre. Populli ka qenë në lartësinë e situatës, sepse shqiptarët e thjeshtë kanë luftuar për të ruajtur trojet e veta, edhe gjatë shekullit XIX edhe gjatë fillimit të atij XX, mirëpo përfaqësuesit e tyre kanë qenë të përçarë, pikë e pesë, të paguar prej fuqive të ndryshme, e gjithnjë përbuzës ndaj intelektualëve rilindas. Kjo ndarje e pushtetarëve shqiptarë prej popullit, bashkë me përbuzjen e tyre për inteligjencën e moralshme kombëtare, vazhdoi të jetë karakteristikë e organizimit tonë politik e shoqëror.

Në këtë 105 vjetor të Konferencës së Londrës, është koha që ta ndryshojmë këtë tipar problematik të politikëbërjes sonë. Një politikë e vëmendshme ndaj nevojave aktuale e historike të popullit tonë, një politikë bashkëpunuese me intelektualët e moralshëm kombëtarë, që të mos përballemi në të ardhmen me vendime si ato të Konferencës së Londrës, ku vendet tona i ndajnë e i shqepin pa na marrë parasysh.

9 komente në ““Që të mos përsëriten konferenca si ajo e Londrës””

  1. Fishta Homerian says:

    Kreshniku ma i Ri i Popullit ma t’vjeter t’Gadishullit Trako-Pellazgo-Ilirik

  2. Kuq e zi says:

    Te lumte albin…
    Demdemaçi nuk jeton me nga pikepamja ime te shoh si trashgimtarin e tij
    Asnje kompromis te ideve tuaja kombtare per karrike
    Jam i bindur qe nqs do mbrosh idete e tua perjete ta kesh te sigurte se per popullin shqiptar do jetosh me gjate sa te gjithe politikanet e sotit marre se bashku

  3. Toni says:

    Poltikanet e Shqiperis edhe te Kosoves jane agjente te ATYRE qe i instalojne ne pushtet pikerisht per ta pasur sa me te lehte qe te marrin vendimet e tyre te mbrapshta….. Edhe ti je nder ta politikane kukulla, qe vetem dilni si ‘gramafon te prishur’ ne MEDIA per ti hedhur hi syve popullit. Mendja juaj eshte vetem tek pasuria e pa ligjshme, kurveria dhe intrigat per pushte te brendshem. Por me sa duket ne Shqiptaret ju meritojme juve kerrmave qe na rrii mbi koke.

  4. Beni says:

    Albin ti je me i mire se politikanet e tjere. Pasi ti je i virgjer tek sqetulla e majte, dhe tek veshi djathte. Jemi krenar per ty.

  5. Tani says:

    Iluminohuni pak e ndriconi trurin, nese keni akoma aq aftesi intelektuale sa ta lexoni e kuptoni. Brilante!

  6. turpi i DIMOKRATIA-s eshte se ,ajo na detyron te degjojme e dhe mendimin e budallenjeve.......''[Bernard Show] says:

    ptuuuuuuu turk i ndyre,trego more qafir se si quhej ne shqip!!! Giannena,Thesaloniki perpara se te ”pushtohej”[sipas teje] nga Greqia!!??
    Po Monastiri[jo manastiri o kopuk] si quhej ne gjuhen tende turke para aneksimit nga Serbia!!!??
    ptuuuuuuuuuu plehre turke…………

  7. Genti, Tirane says:

    Shum te drejt ke Albin….po kush degjon, HAshimi apo Iliri…copa injorantesh.

  8. faikonica says:

    A i kena sherby ma me zelk se tjeret,a na ka perdhunu e perjashtu nga cdo rrjedhe normal e e jena vete qujte turq..?!A e shprehim edhe st populli vella turk,dalim me flamujt e Tyrqise?!Po cka na ka faj Perendimu?!

  9. mik says:

    Albin Kuirti duket qe asht nje nder politikanet ma te zgjuar brenda dhe jasht kufirit tone.
    Disa thone qe asht i keq, por edhe nqs asht asht ashtu, prap ai asht ma i miri nga te gjithe te keqinjt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje