Ndoshta Reali i Madridit nuk ka nevojë të kërkojë një zëvendësues për Kristiano Ronaldon, sepse e ka atë në skuadër.
Kuptohet që një ekipi të madh i duhen sa më shumë sulmues për të pasur sukses në të gjithë frontet, por madrilenët mund të mbështeten tashmë te Gereth Bejl.
Lojtari uellsian, siç shkruan spanjollja “AS”, ka një rendiment të jashtëzakonshëm të golave, kur nuk luan Kristiano Ronaldo. “Bejl është shumë më mirë, kur në ekip nuk është Kristiano”, – është titulli kryesor i gazetës së njohur.
Bejl ka qenë një nga lojtarët më të dashur për tifozët në Majemi, ku stërvitja është ndërprerë për shkak të një stuhie të fortë.
Uellsiani pritet të jetë lider në sezonin e ri, pavarësisht faktit, nëse Reali do të blejë një sulmues tjetër apo jo. Pista më e mundshme për momentin është ajo me Robert Levandovskit.