Jo vetëm Kovaçiç e Kurtua, ja yjet që bojkotuan stërvitjen që klubet t’i shisnin

7 Gusht 2018, 11:58Sport TEMA

Mateo Kovaçiç nuk ka dalë në stërvitje me Real Madrid, ashtu si Tibo Kurtua te Çelsi. Të dy kanë në mendje vetëm një objektiv për bojkotin që i kanë bërë stërvitjeve, të detyrojnë klubet e tyre t’i shesin. Por futbollistët në fjalë nuk janë të vetmit, shumë yje të futbollit botëror e kanë bërë një gjë të tillë në të kaluarën. Lexoni në vijim disa raste shumë të njohura

Diego Kosta
Diego Kosta vendosi të mos dilte në stërvitje në periudhën kur ishte te Çelsi dhe deklaroi se “ndjehej si kriminel” për mënyrën se si e kishin trajtuar në klub. Ai mendonte vetëm si të shkonte te Atletiko Madrid, gjë të cilën arriti ta bënte realitet në fund.

Ousman Dembele
Mesfushori francez është eksperti i bojkotit të stërvitjeve. Ai e bëri në vitin 2015, kur ishte pjesë e Ren, që ta lejonin të shkonte te Borusia Dortmund dhe e përsëriti një vit më parë kur e kërkoi Barcelona. Në të dy rastet, nuk ka ngurruar të bëjë publike dëshirat e tij që janë plotësuar në fund.

Filipe Kutinjo
Braziliani dëshironte vetëm Barcelonën dhe nuk pranonte asnjë lloj negociate rinovimi nga Liverpuli. Ai u stërvit i veçuar dhe shpiku edhe një dëmtim fantazmë në javen e parë që të mos luante në kampionatin anglez.

Garet Bejl
Uellsiani nuk u shfaq në stërvitje me Totenhem para fillimit të sezonit, duke deklaruar se ishte i dëmtuar në vitin 2013, por çuditërisht u grumbullua nga Uellsi për eliminatoret e Botërorit 2014. Gjithçka bëhej për të siguruar transferimin te Reali, që u mbyll më 1 shtator.

Luka Modriç
Edhe mesfushori kroat bojkotoi stërvitjen e Totenhem për të detyruar klubin anglez ta shiste te Real Madrid në vitin 2011. Një vit më vonë, bëri të njëjtën gjë, për të shkuar te Çelsi, por përsëri pa sukses. I rezultoi me fat vetëm hera e tretë, kor më në fund përfundoi te Reali.

Serxhio Aguero
Aguero ishte idhulli i Atletiko Madrid, por në verën e vitit 2011, nuk u paraqit në stërvitje me ekipin dhe zgjati me një javë pushimet e tij në Argjentinë. Në fund të asaj jave, Mançester Siti pagoi 45 milionë euro dhe siguroi kartonin e tij.

Frank Riberi
Rebelimi nuk funksionon gjithmonë dhe shembulli është Riberi. Në vitin 2009, mesfushori bojkotoi stërvitjen me Bajern dhe deklaroi publikisht se do të bëhej pjesë e Real Madrid. Qëndroi jashtë stërvitjes vetëm një ditë, pasi mori vesht se dy klubet nuk do të gjenin kurrë një akord për transferimin e tij.

Cesk Frabregas
Mesfushori spanjoll tentoi të njëjtën gjë në vitin 2011 që të siguronte kalimin nga Arsenali te Barcelona. Ai u zu edhe me Venger i cili i kërkonte që pavarësisht negociatave, të zhvillonte fazën përgatitore. Në fund të verës, ai u bë pjesë e Barcelonës.

Ronaldo
Sulmuesi brazilian ishte një nga lojtarët që ka bojkotuar më shpesh stërvitjen për të siguruar tansferimin e tij. Ai e bëri me sukses te PSV për të siguruar transferimin te Barcelona e më pas te Inter për të siguruar kalimin te Real Madrid. Në të dy rastet, vazhdonte pafundësisht pushimet derisa i plotësohej dëshira.

Karlos Tevez
Sulmuesi argjentinas ka qenë protagonisti i një rasti të rrallë te Mançester Siti. Ai u kthye në Argjentinë dhe bojkotoi klubin për dy muaj, pa u stërvitur dhe luajtur, ndërsa lunate golf dhe marrte gjoba të majme që kalonin rrogën e tij. Në fund u kthye kokulur në klub.

Dani Alvesh
Mbrojtësi brazilian refuzoi të udhëtonte me Seviljen për paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve në vitin 2007 pasi kishte marrë shumë oferta nga klube të ndryshme. Drejtuesit e skuadrës u munduan më kot ta bindnin të luante, ai e kishte ndarë mendjen. Në fund firmosi për Barcelonën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje