Ndeshja Torpedo–Kukësi, e vlefshme për turin e tretë të Europa League rrezikon të shtyhet dhe shkak për këtë është bërë mospajisja me viza e katër lojtarëve nga autoritetet gjeorgjiane. Konkretisht Fait Regiinaldo, nga Mozambiku, Valon Ethemi dhe Edis Maliqi nga Maqedonia si dhe Fatjon Maloku nga Kosova nuk janë pajisur me vizë hyrëse, ç’ka e bën të pamundur pjesëmarrjen e tyre në ndeshjen e ardhshme. Klubi verilindor bën të ditur se kanë kontaktuar me autoritetet gjeorgjiane, por deri më tani ato kanë njoftuar se pajisja me viza e katër lojtarëve është e pamundur.
“Ju njoftojmë me shqetësim të madh se ndeshja e parë e turit të tretë të Europa League, që luhet me datë 09/08/2018 në orën 21:00 në Bilisi midis Torpedo (Gjeorgji) dhe Kukësi (Albania) rrezikon të dështojë për shkak se katër lojtare të ekipit tonë të formacionit nuk janë pajisur me vizë hyrëse nga autoritetet gjeorgjiane, konkretisht Fait Regiinaldo, nga Mozambiku, Valon Ethemi dhe Edis Maliqi nga Maqedonia si dhe Fatjon Maloku nga Kosova… Nga klubi dhe autoritetet gjorgjiane na është premtuar se ky problem do të zgjidhet, por deri tani na njoftojnë që është e pamundur. Nisur nga kjo situatë ne kërkojmë që nga klubi pritës, federata, autoritetet gjeorgjiane dhe Uefa që kjo ndeshje të mos dështojë”, shkruhet në njoftimin për shtyp të Kukësit.
Skuadra verilindore kërkon ndihmën e UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit që të ndërhyjë që ky takim mos të dështojë, ose në rast të kundërt ndeshja të shtyhet dhe përgjegjësi të mbajë klubi organizator. “Ne po kërkojmë dhe po shohim mundësinë që në rast të mos dhënies së vizave për këta lojtarë ndeshja të shtyhet dhe përgjegjës të jetë Klubi organizator. Futbolli është për t’i bashkuar njerëzit dhe jo për t’i ndarë. Ky gjest e dëmton futbollin dhe fair play”, përfundon njoftimin për shtyp Kukësi.
Përgatiti: Brunilda Kazani
Futbolli i kushton shtrenjt ekonomis së vëndit pasi shpenzime pa récompense.