Juventusi nuk di të ndalet. Pengesa e radhës quhej Parma dhe bardhezinjtë e drejtuar nga Massimiliano Allegri fituan në transfertë me rezultatin 1-2.
Fillimi nisi në mënyrë më të mirë të mundshme për “Zonjën e Vjetër” që pas 2 minutash kaloi në avantazh falë golit të Mario Mandzukic-it. U duk se vendasit do ta kishin të vështirë dhe do të pësonin të tjerë gola, por ata u përgjigjën mirë dhe shtuan presionin në portën mbrojtur nga Wojciech Szczesny.
I gjithë stadiumi “Tardini” shpërtheu në festë në minutën e 33, kur Gervinho realizoi golin e barazimit. Në vazhdim, takimi u bë më i luftuar dhe Parma e shtoi presionin. Por bardhezinjtë u mbrojtën mirë dhe në të 58’ shënuan golin e fitores me anë të Matuidi-së. Megjithtë përpjekjet, emilianët e patën të pamundur që të thyenin mbrojtjen torineze dhe të shënonin golin e barazimit. Në 3 takime, ata kanë vetëm 1 pikë të fituar.
Duhet thënë se 2 sezone më parë, Parma ishte në Serie D, kurse Juvja luante në një finale të Ligës së Kampioneve. Kurse këtë herë, publiku në “Tardini” pati kënaqësinë që të shikonte një ekip me yje me në krye Cristiano Ronaldo-n.
Portugezi prapë nuk arriti që ta gjente golin, ndërsa e mbylli sfidën me një sy të nxirë, ndërsa verdheblutë ëndërruan të ndalnin Juven. Takimi përfundoi siç pritej, me fitues bardhezinjtë që ende nuk janë në gjendjen më të mirë të mundshme dhe me emilianët që riprovuan shijen e futbollit elitar pas vitesh vuajtje.