Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, e këshilloi PSG që ta zëvendësojë drejtorin sportiv Antero Henrique, pasi kampionët e Bundesligës kritikuan negociatat e klubit parizien me Jerome Boateng.
Gjigandët e Ligue 1 u përpoqën të nënshkruajnë me mbrojtësin ndërkombëtar të Gjermanisë, por një marrëveshje nuk u materializua dot para afatit përmbyllës të merkatos, ndërsa Renato Sanches thuhet se doli si objektiv.
Ndjekja e PSG-së, e udhëhequr nga Henrique, ka lënë shije të hidhur në gojën e Hoeness, i cili ishte i ashpër me drejtorin sportiv të klubit francez.
“Unë do ta këshilloja PSG që ta zëvendësojë drejtorin e vet sportiv.
Ky njeri nuk është një figurë e madhe për klubin, – tha Hoeness për “Kicker”. – PSG nuk mund të lejojë që të ketë një drejtues të tillë sportiv, nëse do të jetë një nga klubet më të mira në botë”.
Drejtori sportiv i Bayern, Hasan Salihamidzic, ishte gjithashtu më pak i impresionuar me veprimet e Henrique dhe PSG gjatë diskutimeve për Boateng:
“Unë nuk dua të fyej askënd, por do t’ju them: Ju nuk mund të bëni gjëra të tilla me Bayern Munich, sidomos kur bëhet fjalë për atë lloj lojtarësh.
Nëse një transferim do të ndodhë, shumë gjëra duhet të përshtaten.
Ne duhet ta duam atë, lojtari duhet ta dëshirojë dhe klubi tjetër duhet të tregojë interes.
Këtë përputhshmëri gjërash kurrë nuk e kemi ndjerë, në asnjë moment.
Edhe Jerome më konfirmoi se taktikat e anës tjetër ishin të çuditshme”.