Si zakonisht, në futbollin shqiptar planifikimi dhe durimi janë gjëra që pakkush i njeh dhe premtimet e dashuria harrohen brenda pak javësh.
Sot ka ardhur pushimi i parë nga puna, sepse Kamza ka larguar Bledar Devollin nga stoli, pas humbjes në Durrës.
Një vendim i pabesueshëm, që në javën e tretë të kampionatit, i marrë pak orë pas ndeshjes ndaj Teutës.
Kamza e nisi mirë, me një fitore të bujshme ndaj Tiranës në transfertë, por më pas u mund nga Partizani në shtëpi dhe në Durrës ishte humbja e dytë rresht.
Në fakt, në verë Kamza bisedoi dhe thuajse mbylli gjithçka me italianin Pietro Vierkovud, por me pas nuk u bë asgjë dhe pas disa javësh pezull, u zgjodh Devolli.
Rikthimi në Kamzë dukej se kishte bërë që të harrohej largimi i çuditshëm nga puna dy sezone më parë, por presidenti Naim Qarri duket se ka mbetur i zhgënjyer nga rezultatet e skuadrës së tij, edhe pse realisht duket absurde që një trajner të largohet kaq shpejt, shkruan Telesport.
Në këtë mënyrë, ka filluar “ruleta ruse” me trajnerët dhe mbetet për t’u parë kush e ka radhën. Ndërkaq, stoli i Kamzës mbetet bosh, ndërsa ende nuk ka ndonjë emër për të ardhmen, por e hëna pritet të sjellë të reja.