Finalja e parë e Kupës së Libertadores u shty me rreth 23 orë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ndërsa kjo e dyta është shtyrë për 24 orë, për shkak të “reshjeve të gurëve” të tifozëve.
Gjithçka ndodhi kur skuadra e Boca Juniorsit po shkonte drejt stadiumit “Monumental” për finalen e kthimit, u sulmua me një “breshëri” gurësh nga ana e tifozëve vendas të River Plate, duke bërë që të thyheshin xhamat e autobusit, ku edhe u hodh gaz lotsjellës.
Menjëherë ndërhyri policia për të shpërndarë tifozërinë, por gazi depërtoi në autobus, duke lënë pasoja te të paktën 7 futbollistë të Bocas, ku gjendja e Carlos Tevez dhe dy prej tyre, ishte më shqetësuesja.

Pikërisht për këtë arsye, sfida u shtyu fillimisht me 60 minuta dhe më pas u vendos që të luhet në orën 23:15, nga ana e Conmebol, por klubi i Boca Juniorsit vijon të këmbëngulë për shtyrjen e këtij takimi.
Vetë Carlos Tevez doli me një deklaratë, ku tha se ai dhe dy lojtarë të tjerë të skuadrës së Boca Juniorsit, nuk janë të gatshëm për të luajtur dhe se skuadra po detyrohet të zbresë në fushë.

Gjithsesi asnjë prej lojtarëve nuk zbriti për nxehjen e zakonshme dhe organizatorët vendosën të shtyjnë sfidën me 24 orë dhe të vendosin që të riluhet në orën 21:00 të ditës së nesërme.

Kjo është finalja e dytë e Kupës së Libertadores, pasi sfida e parë në “Bonbonera” përfundoi në barazim 2-2, ndërsa nesër në mbrëmje është programuar që të shpallet edhe kampioni i Amerikës Latine.