Jari bën bilancin e Kongresit të PD dhe i del më i miri në histori

16 Dhjetor 2018, 18:30Antena TEMA

Ovacionet e demokratëve, kur u përmend emri i Doktorit në Kongresin e PD, i dolën edhe në ëndërr mbrëmë Jarit dhe ashtu nëpër gjumë i hipi një nënqeshje e lehtë. 

“Mua dhe Lulin na trajtuan njësoj, tha me vete, nuk pipëtiu njeri fare dhe u vendos një heshtje varri, kur u dëgjuan emrat tanë. Kjo tregon se 6 vitet që kanë kaluar, nuk e kanë lëkundur qartësinë e militantëve, që do të thotë se në partinë tonë e njeh gjithmonë qeni të zotin. Kështu ka ndodhur edhe përpara 23 vjetësh, kur doli armik Eduard Selami dhe u vu në vend të tij Tritan Shehu, askush nuk e njihte për kryetar”.

Me këto mendime pozitive për Kongresin dhe për demokratët Jari e mori ditën me nge, përpara se të ulej për të shkuar mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar demokratë, Jari ju sqaron!

Ky është Kongresi më i mirë në histori i Partisë Demokratike, jo thjesht nga respekti që treguan njerëzit për Doktorin. Sepse mirënjohjen për të e kemi pasur gjithmonë dhe do ta përcjellim brez pas brezi, edhe për nipat e mbesat e tij.

Por kjo është hera e parë që kur është krijuar PD, kur pas Kongresit nuk na ngelet nëpër këmbë asnjë nga ata që na e kanë me hile. Me atë që kam parë dje jam i sigurt se në partinë tonë edhe pas 100 vjetësh nuk do të guxojë të dalë më ndonjë armik. 

Por Luli i provoi shqiptarëve se asgjë nuk ka qenë paravendosur, siç na akuzojnë të gjithë sa herë që ne bëjmë zgjedhje. Sepse çereku i atyre që kishte propozuar ai nuk po gjenin derën nga vrapi për të ikur nga Kongresi dhe nga PD-ja. Ata e nxorën vetë kokën dhe na e lehtësuan punën, se kush rrinte e i përgjonte gjithë kohës, kur do të tradhtonin. Por Doktorin nuk e kuptova pse ishte i mërzitur dhe shkrofëtinte sa herë vinte lajmi që kishte ikur edhe një tjetër, kurse Lulit për çudi nuk i ndryshoi buzëqeshja.

Por Luli u tregua gjigand në mëngjez, sepse u lëshoi në shpinën atyre Prof. Doktoreshë Albina Dedën, e cila është një intelekuale shumë e njohur, që ia dëgjojnë shumë fjalën kudo në Shqipëri. Siç ka thënë edhe Doktori, të gjithë ata që dalin kundër një ditë, janë pa përjashtim spiunë të Sigurimit të Shtetit. Dhe Albina pak a shumë kështu e shpjegoi, por u vumë një çikë në siklet se disa prej tyre nuk kanë pas lindur ende ose kanë qenë në kopësht në kohën e diktaturës.

Ndërsa për të lavdëruar këtë Gaz Oketën dhe Sandër Biberajn kemi ngelur pak keq, se kemi që dje dhe nuk po gjejmë njeri.

Tani që e qëruam edhe atë “tankistin” (Ben Imamin) dhe i hoqëm fjalën në sallë Bislimit, themelues të PD do të konsiderohemi vetëm Doktori, Luli dhe unë. Dhe sa herë të mblidhemi do të kemi edhe bustin e Azemit në mes, sepse kjo vajza e tij na doli shumë e poshtër dhe do ta çojmë andej nga ka ardhur shumë shpejt.

Ky Kongres rezultoi më i miri në histori edhe për punë të numurimit. Se mbaroi punë brenda ditës me  6 000 fletë votimi. Disa vjet më parë ne rrinim një javë për të nxjerrë rezultatin, kur kishim vetëm 1000 delegatë. Dhe kjo është një meritë e padisktueshme e Jemin Gjanës, i cili e ka marrë në dorë këtë punë dhe do ta vazhdojë sa të jetë gjallë. Në rast të ndonjë fatkeqësie, ai do t’ia lërë trashëgim pasuesve të vet, njësoj si Besnik Mustafaj, që iku vetë, por futi djalin në Këshillin e ri Kombëtar të partisë.

Ky Kongres më ka impresionuar shumë. Fitorja po vjen.

I juaji Jari!”

1 komente në “Jari bën bilancin e Kongresit të PD dhe i del më i miri në histori”

  1. Raul says:

    Po jam dakord, kongresi i pd_ se përjashtoi nga radhët e tij Kryeplehren e arsimit shqiptar monstra e Gramshit Elmaz Hamuti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje