Nga Altin Ketro
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA) z.Agron Duka, ka deklaruar së fundmi se është në prag të një vendimmarrje nga partia e tij për të dalë si subjekt më vete në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në spektrin politik shqiptar, PAA është një parti që identifikohet si përfaqësuese e zonave rurale e bujqësore, por që i ka shtuar edhe një emërtesë, si ambientaliste, për të përfshirë edhe zonat urbane në suazën e saj.
Ndonëse një parti e vjetër me jetëgjatësi 28 vjeçare, ajo ka lënë gjurmë periferike në politikën shqiptare me përfaqësimet modeste në Kuvend, të cilat kanë ardhur kryesisht si bujari e dy partive të mëdha. Ashtu si shumë parti të tjera, edhe kjo parti nuk i shpëtoi kameleonizmit duke ndërruar shpesh ngjyrë me kalimet sa majtas e sa djathtas. E kam fjalën për kohën që atë e drejtonte themeluesi i saj legjendar, zoti Xhuveli, i cili ca vite u bë edhe patericë e Berishës. Këto akrobacira nuk e lanë të rritej, ndonëse si koncept përfaqësonte gjysmën e elektoratit shqiptar.
Pas disa vitesh agonie dhe gati në shpërbërje të plotë, ashtu si në një biznes të falimentuar, befas doli një investitor që u vetë ofrua ta rimëkëmbte këtë parti duke e nxjerrë nga “borxhet” dhe rifutur në tregun e… politikës. Si për ironi të fatit, ky sipërmarrës, ishte një biznesmen i njohur në qarkun e Durrësit, por që njëkohësisht ishte edhe politikan. Ai quhet Agron Duka. Ashtu si partia e vjetër me siglën PA, edhe sipërmarrësi në ardhje kishte bërë akrobacitë e veta duke kaluar nga e majta PS ku mbajti poste ministrore, tek e djathta PR si deputet. Vetëm se në ndryshim nga shumë të ngjashëm të tij, ai pati tërësisht meritë personale të ngritjes në politikë. Pra, politika ia kishte nevojën atij, e jo ai politikës.
Nisur nga kjo, ish-kryetari i moshuar Xhuveli bëri lëvizjen e duhur për të mos e shuar përfundimisht pjellën e vetë politike dhe ia dhuroi me bujari ambiciozit Agron Duka. Ardhja e tij në krye të PA në vitin 2016, u shoqërua me interes edhe nga faktorët politikë të cilët panë tek ai një aleat të fortë për ta pasur përkrah në koalicion.
I shkëputur nga grupi i PR-së, kryetari i partisë me emër të ri, PAA, duket se e mori shumë seriozisht sfidën personale në politikë, tashmë jo si individ i vetëm, por si kreu i një partie. Sfida e parë politike për të dhe partinë e tij do të ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 që zhvilloheshin një vit pas ardhjes së tij në krye të PAA. Ndonëse jo një kohë e mjaftueshme për të riorganizuar partinë në çdo qelizë të saj, PAA kishte avantazhin se emri i kryetarit të saj ishte i njohur në një pjesë të mirë të territorit, pikërisht aty ku ishin edhe hambarët e votave.
Nuk duhet fshehur fakti që PAA hyn tek ai model partish që identifikohet 100 për qind me emrin e kryetarit aq sa ikja e tij sjell edhe shuarjen e saj. Ky është handikapi më i madh që këto parti kanë prandaj nuk arrijnë të rriten në elektorat. Gjithsesi, emri i Agron Dukës shkonte përtej kësaj dhe, ndonëse partia e tij nuk ngjallte besim, ishte emri i tij i mirë që ia mbulonte këtë defekt.
Siç theksova më lart, ballafaqimi i parë elektoral për Agron Dukën ishin zgjedhjet e vitit 2017. Shkaqet dhe rrjedha politike mbi të cilat u zhvilluan ngjarjet (çadra e famshme e PD-së), solli konfuzion deri në çastet e fundit se si do futej kjo parti në zgjedhje, e vetme apo në koalicion parazgjedhor me PD-në. Kjo e fundit dhe specifikisht lideri i saj, Lulzim Basha, i mbajti peng partitë aleate deri në minutën e fundit të skadimit të afatit të regjistrimit në KQZ dhe në ato minuta futi kryetarët e partive aleate në listat e veta të përfaqësimit. Nën një tension të madh dhe me nerva të tendosura, pasi rrezikonin të mbeteshin jashtë përfaqësimit parlamentar, kryetarët e partive aleate pranuan të “shuajnë” identitetin e tyre si individualitete të ndryshme politike dhe u identifikuan nën siglën PD, duke i qëndruar besnik kësaj të fundit.
Ky ishte momenti më deçiziv që do përcaktonte të ardhmen politike edhe për Agron Dukën dhe partinë e tij. Por vendimmarja e tij për t’i qëndruar besnik PD-së duke mos konkurruar më vete, rezultoi fatal. Ndonëse Agron Duka vuri në dispozicion shumë financa që rënduan mbi buxhetin e rrjetit të supermarketeve të veta, edhe pse punonjësve iu kërkua maksimalizim vote prej tyre, familjarëve dhe farefisit, PAA korri një rezultat katastrofik. Jo vetëm që as Agron Duka nuk doli dot deputet nga lista e PD-së, por humbja më e madhe ishte se kjo parti nuk kuptoi dot se sa ishte ndikimi i saj në elektorat. Dhe, goditja më e madhe binte mbi vetë Agron Dukën, timonierin e anijes PAA që ai e mori për ta nxjerrë në sipërfaqe, por që mbeti ende nën ujë.
Tashmë jemi në prag të një sfide të re elektorale dhe PAA pritet të marrë një vendim final nëse do dalë më vete apo në koalicion. Është e kuptueshme që PD-ja dhe Lulzim Basha kanë nevojë për sa më shumë aleatë politikë me qëllim që të maksimalizojnë votat ndaj Partisë Socialiste.
Nuk dua të bëj diversion politik, por një gjykim dua ta jap përsa kohë PAA ende nuk e ka marrë vendimin e saj. Nëse në vitin 2017, edhe për shkak të rrethana të përshkuara më lart, edhe për shkak të një ndrydhje prej vetë Agron Dukës për të mos u treguar si “tradhëtar” i opozitës ai hyri në koalicion me PD-në, në zgjedhjet vendore të 30 qershorit PAA e ka jetike të hyjë më vete.
Kjo nuk duhet parë asfare si tradhëti. Kjo ka të bëjë me krijimin e identitetit politik të PAA-së. Kjo parti dhe kryetari i saj, pavarësisht cilësive që ai ka, sot janë askushi.
Është mëse e dukshme se Lulzim Basha do ta ketë shumë të vështirë që t’i japë PAA-së qoftë edhe një zonë të lirë konkurrimi me kandidat për bashki. Kjo, pasi ai do luftojë të mbajë sa më shumë zona për partinë e tij në kushtet kur do jetë nën një trysni të madhe nga LSI-ja, që në këto zgjedhje konkurron me një kryetare të re, e cila e ka sfidë personale të tregojë protagonizëm për të mundur rezultatet e Ilir Metës. Shto këtu edhe oreksin e PDIU-së, PBDNJ-së, apo ndonjë tekë të Mediut, nuk dihet se çfarë do mbetet për PAA-në. Sot për sot ajo s’ka asnjë lloj morali të kërkojë më shumë se sa maksimumi nënkryetar bashkie pas zgjedhjeve.
Por, edhe sikur PD-ja t’i lërë një zonë të lirë përfaqësimi, Agron Duka duhet ta refuzojë sepse duhet të testojë në radhë të parë veten, emrin e tij, me të cilin indentifikohet edhe partia. Zgjedhjet vendore kanë ndryshim nga ato parlamentare, sepse jo vetëm të japin mundësinë të konkurrosh drejtpërdrejt me kandidatë për kryetar bashkie, jo vetëm se e ke më të lehtë që nga votat e partisë të fusësh më shumë kandidatë në këshillat bashkiakë, por për parti specifike të cilat adresojnë programe të tilla si bujqësia, kanë më shumë shance për t’u bërë dikushi.
Thirrja ime për Agron Dukën është: Ti duhet të guxosh! Vetëm duke konkurruar i vetëm dhe duke korrur qoftë edhe sukses modest në rang kombëtar dhe të mjaftueshëm në zona të caktuara, mund të imponohesh në të ardhmen me fuqinë e autoritetit që të jep vota e elektoratit. Është pikërisht ai autoritet që sot të mungon. Nëse ai nuk e kupton as kësaj here dhe futet nën ombrellën e PD-së, humbjen më të madhe s’ka për ta pasur një parti si PAA që sot është fantazëm, por karriera politike e Agron Dukës që do kujtohet si biznesmeni të cilit politika ia humbi shqisën e të nuhaturit dhe i treti forcën për të guxuar. Në biznes, ai e di shumë më mirë se çfarë efektesh ka kjo. Epo, të njëjta efekte ka edhe në politikë.
(TemA)