Kongresi i UEFA-s/ Qëndrimi me dy fytyra i Armando Dukës, miraton raportin për trukimet e Skënderbeut

7 Shkurt 2019, 11:27Sport TEMA

Dënimi i Skënderbeut me 10 vite për trukimet e ndeshjeve është një nga pikat kyçë të raportit vjetor të UEFA-s në Kongresin që po zhvillohet në Romë. Të gjithë anëtarëve të UEFA-s u është vënë para raporti vjetor për sezonin 2017-2018 dhe për të ilustruar më mirë luftën kundër trukimeve në vitin që u la pas, përdorej pikërisht klubi shqiptar.

“Duke mbrojtur integritetin e futbollit”, shkruhej në pjesën e raportit vjetor të UEFA-s, që duhej miratuar në Kongresin e sotëm dhe ku pasqyrohej tabloja e punës që ishte bërë nga komisionet disiplinore.

“Sektori si disiplinës dhe etikës në UEFA trajtoi një total prej 450 çështjesh gjatë vitit të fundit, 49 prej të cilave ishin pjesë e apelimit dhe katër përfunduan para Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (KAS).

Një çështje që spikat në mënyrë të veçantë përfshin KF Skënderbeun e Shqipërisë, një klub i përjashtuar nga aktivitetet e UEFA për sezonin 2016-2017 për përfshirjen në trukimet e ndeshjeve, vendim i cili u mbështet nga KAS. Si rrjedhojë e hetimeve të tjera, organet disiplinore të UEFA-s vendosën një përjashtim prej 10 vitesh nga aktivitetet e UEFA dhe një gjobë prej 1 milion eurosh për Skënderbeun”, shkruhet në raportin e UEFA-s, që kjo e fundit u kërkoi vendeve anëtare të miratonin.

Të gjithë sot votuan në mënyrë unanime për miratimin e raportit, përfshirë edhe presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili ngriti lart kartonin e tij duke mbështetur zyrtarisht këndvështrimin e UEFA-s se Skënderbeu meriton 10 vite dënim për trukimet e ndeshjeve të futbollit. Qëndrim me dy fytyra, duke llogaritur se sa herë që flet para mediave në Shqipëri deklaron se korçarët janë të pastër dhe se UEFA ka gabuar me qëndrimin e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje