Nga Kristo Mërtiri
Mbi 45 vjetë më parë, askujt nuk i shkonte mendja se një ditë miniera e Memaliajt do të bëhej vërtet djepi dhe arkivoli i jetës së atij qyteti të dashur. Qytet që sot duket se tkurret e përkundet ditë e natë nga valët turbulluese e vajtuese të Vjosës që s’pushon së rrëfyeri historinë e një bote të trazuar, atje, nën degët e fletët verdhacuke të rrepeve shekullorë teksa përcjellin gëzime, derte e hidhërime pa fund.
Madje herë-herë nuk i kapërcen dot edhe kufijtë e një qetësie të frikshme mortore që u shtri si pa kuptuar gjatë rrumpallhanës së Tranzicionit shqiptar. S’ka më autobuzë të mbushur me minatorë që shkojnë e vijnë djersëpatharë nga puset e galeritë e “arit të zi”. S’ka më turne që ndërrojnë mëngjezet, mesditet e mbrëmjet dhe gumëzhinin rrugët, lulishtet e pallatet. Dhe as gjallërinë e derdhur natyrshëm para e pas mësimit në “shkollat e natës” apo gurgullimat e një koncerti, festivali, estrade, teatri e kuvendimi letrar në Klubin e famshëm të Kulturës. S’ka më asnjë tabor me inxhinierë të talentuar e të diplomuar brenda e jashtë vendit, që pasi linin galeritë dhe llavat e qymyrgurit, pushtonin Bibliotekën. Bashkë me arsimtarët dhe teknikët gjeologë të etur për dituri.
Nëpër bujtinat e beqarëve, kam parë jo pa habi e dashuri komodina e krevate të rrethuar nga mure librash artistikë e shkencorë. Kam dëgjuar debate intelektuale e aspak “llafe katundi”… Isha ende nxënës shkolle. Mes shokëve e miqve të vëllait (mësues i ri i Gjuhës e Letërsisë Shqipe) më dukej vetja në një botë e qiell tjetër të kthjellët pjekurie e kulture sipërore. Do punoja për pak kohë në minierë, në sektorin e tretë me usta Brahimin, njeriun e mirë dhe shinashtruesin sedërli të vagonave. Duhet “të krreja mësime” nga grindjet e kundërshtimet ndaj një pedanti zemërkatran, arrogant e hakmarrës tinëzar në shkollën e Tepelenës. Mirëpo, minatorët e kishin shpirtin hazine, si deti. “-Kujdes se mos vritesh, djaloo !…O inxhinier Martini, qysh ditën e parë e kumbise shkollarin në llavë ?!…”.
Sot e gjith ditën i dëgjoj ende ato fjalë dhëmbshurie. Rrafsh me tokën, duke u zvaritur në krahë e në shpinë, pikasa vetëm dy sy njeriu si dy thëngjij të pashuar nën dritën e llampës ambulante mbi ballin e fytyrës së nxirosur nga pluhuri i qymyrit. Një minator po armatoste “tavanin” që ishte disa pëllëmbë larg dyshemesë. “ Mbi kokë qefini !”. Martini para e unë më prapa. Ishin orët e fillimit të “instruktazhit”. Ku ta dija unë se nesër inxhinieri lab nga “Progonati me vulë” do ishte bashkëshorti i Shpresës stoike, shoqes sonë të Pedagogjikes “Pandeli Sotiri” që mbi 40 vite shërbeu vetëm si mësuese e klasës së parë fillore, ndërsa ai do bëhej poet i njohur e do shkelte gati tërë galeritë e minierave nëpër Shqipëri ! Pa u ngritur si me katapult në karrierë. I provoi mjaft shkallë pune e mundimesh, me mencuri e dinjitet. Që nga Memaliaj e gjer në Bulqizë. Dhe deri zëvendësministër. Ekspert jo dosido e larg katedrave. Por një cikël me vjersha botuar në gazetën “Drita”, për pak i hëngri kokën babait të 4 fëmijëve(histori rrënqethëse që ndoshta meriton një shkrim të posacëm)…
Mirëpo, miku ynë i vecantë, gazetari rebel e poeti i madh skraparli që “i priste rrufetë me penë” dhe hidhte hithra e jo trëndafila mbi burokracinë e kohës, një ditë do të klithte hapur nga zemra e Kryeqytetit :”Memaliaj. Minierë. Llava 105/7./ Dikush po ngrohet e pi “DS” në “Dajti”./ Mes zhurmës, mes baltës, mes tymit të hidhur/ nëntokës minatorët po i heqin brinjët./ Kjo s’është njëlloj si të thyesh një mbasdite/ para “Dajtit” nga mërzia, një degë prej pishe./ Ata zbrazin minat…Dikush sajon:/”Kjo botë nis tek unë dhe tek unë mbaron”… /Ej, ti me “DS” që në “Dajti” kthen pije,/ vallë, e di Memaliajn ku bie ?”…Kjo tingëllimë aktuale revolte e trishtimi, më rrethoi edhe ditët e fundit pasi pashë disa kronika të ngarkuara rëndshëm me mjerimin e fukarallëkun e atij qyteti që i ka dhënë aq shumë vendit tonë. E, aq më tepër kur po dëgjojmë shpesh lajme zezona për vdekjet e minatorëve, sidomos në qarkun e Dibrës. Gati të gjithë në lule të jetës ! Lënë prapa gra e fëmijë të parritur, jetimë, lënë nëna e baballarë me pikëllimin sa një mal. Dhe Polit(h)ika 30 vjecare tund e shkund këmborët! Të kthyera në këmborë të prishura e pa gjuhëz. Minatorët po shuhen nga mosha e sëmundjet, nga duart e thara të “shtetit social” pluralist. Por edhe nga aksidentet vrasëse që nuk paskan të mbaruar. Përgjegjësia dhe faji groposen me viktimat !
“Kohës së Enverit t’i marrin të keqen, se dikur lëvizte guri e druri…Besoj, e ke ndjekur atë emisionin me mjaft të intervistuar në Memaliaj. Të gjithë rrotulloheshin rreth një fakti tronditës të vitit 1973 nga shekulli që shkoi, kur humbën jetën dy minatorë. Po sot ? Vetëm nga një investigim i 4 viteve më parë, doli se kishin vdekur me dhjetra vetë ! Tmerrohem ta them shifrën. Ulërimë me thes në kokë ! Disa karkalecë politikë e mediatikë vazhdojnë t’u bien teneqeve partiake, duke iu shërbyer vetëm ëndrrave për pushtet e pasuri të pistë. E dëgjove atë pohimin e shkurtër publik të minatorit nga Bulqiza ? “Varfëri dhe gjak!”. Dy fjalë si thika me dy presa mbi zemrën e punëtorisë. Aspak mbi ndërgjegjen e ndryshkur të politikanëve të majtë e të djathtë, që tashmë i përcjellin si lajme të rëndomta”…
Së pari, krerët e majmur të të ashtuquajturave Sindikata, duken një herë në hënë kur i merr prej veshi Polit(t)hika ose oligarkët makutë që shpesh vënë në gjumin e ryshfetit edhe prokurorira e gjykata të korruptuara kokë e këmbë. Deri me jetët e heronjve fatkeqë e pa zot të nëntokës! Përshembull, në 2013 mësuam se ishin dhënë jo pak, por 118 lincensa shfrytëzimi për kromin. Një krim i organizuar nga pushtetet lokale e qendrore shaluar majë kalit, me këmbët në yzengji. Jo larg, por 3 netë më parë, opinioni u njoh me një tablo tepër skandaloze e mafioze: Shumica e Këshillit Bashkiak të Bulqizës ishin bërë pronarë me lincensa të posacme për shfrytëzimin e kromit !? Më thoni, ku të qeshë e ku të qajë njeriu i ndershëm ?…Ndërsa gruaja Margaritë, bashkëshortja e minatorit të vrarë Shahin, sfilitej me djalin jetim nëpër stoqet e kromit ! Tjetër.
Familjes së B. Pjetrit që iku në atë botë, të vetmin “nder” që i bënë ishte futja në punë e të birit në galerinë ku u shua i ati(!)etj. Dridhen edhe eshtrat e të rënëve në varreza. Të gjallët e mbetur si guri në rrokullimë nuk kanë këllqe, lekë e besim të kërkojnë përgjegjësitë penale, sociale, zyrtare e qytetare. Në vigjilje të Vitit të Ri humbi jetën Vasfiu në galeritë e Pojskës, 57 vjec. Meraku i vetëm, cinik e antihuman në kulm i ca zyrtarëve memurë ishte “verifikimi” për të larë duart “nëse qe minator me dokumentacion të rregullt apo punonte në të zezë”! Askush nuk kujtohet për të bërë Vettingun e Lincensave korruptive. Ja një mandatë tjetër tepër e freskët: ditët e para të shkurtit, në Bulqizë mbylli sytë përgjithmonë edhe minatori Allaman, 58 vjec.(Dhe ca politikanë të pacipë, sapo lënë Qeverinë e radhës, pa pikë turpi u kërkojnë hesap pasardhësve!). Pa u ndalur gjatë këtu për atë dhimbjen e pikëllimin e pasosur që mbulon ende fshatin Beragozhdë dhe nuk ua largon dot asnjë ngushëllim : 3 vëllezërit Edison, Nertil e Ledion(23; 25 e 24 vjec) dhe dy kushërinjtë e tyre 29 vjecarë humbën jetën në kërkim të mbijetesës, në minierë. O Zot, mbaju mendjen në kokë familjarëve e të afërmve !…Minimalisht, cilët këshilltarë, kryetarë, drejtorë, oficerë policie e ShIK-u, qeveritar e parlamentar kanë dhënë dorëheqjen gjer më sot ?…
Së dyti, rrodhën 12 vite që minatorët e urtë, fukarenj e fjalëpakë, protestojnë dhe kërkojnë miratimin e Statusit. Kollitjet e tyre thatanike të dala nga bloza e mushkërive cyryke(mjaft nga ata janë bij e nipër partizanësh e dëshmorësh) drithërojnë vetëm Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Kupolës politike të Shqipërizës sonë(kupolë që duhet shporrur) i kanë zënë perde të rënda sytë e veshët që shullëhen në kolltuqe, vila e apartamente luksoze. Jo rastësisht shfrynte me zë të lartë djaloshi i një ish minatori Hero, para selisë së Parlamentit:” Kthehu shoku Enver, t’i kemi falur të gjitha !”(është titulli i një shkrimi të bujshëm në një gazetë britanike, me autor një poet e këngëtar të shumënjohur). Dëshpërimi e zhgënjimi nga ky Tranzicion cmendurie e hajdutërie, është i prekshëm kudo, e sidomos atje ku skamja ka ulur kokat dhe supet e njerëzve të thjeshtë. Nuk mund të futet hosteni në thes ! Politikanët “bishtatundës” po tundin e shkundin këmborë të prishura.
Tani, sa herë kalojnë para shkallëve të Ministrisë përkatëse, qytetarëve të ndershëm sikur nuk u mbajnë leqet e këmbëve: Kujtojnë 48 kapelet me emrat e minatorëve të vdekur në miniera, vendosur atje gjatë Ditës së 1 Majit të fundit nga shokët e tyre… Askush nuk mban të paktën një minutë heshtje nderimi a formalizmi në sallat mondane, nga ajo racë drejtuese që përpiqet e llokocitet të na shesë shkumën për ajkë ! Dhe shkundin mirë “pemët” e të tjerëve, ato të skllevërve në miniera: Pronarët me lidhje politike të pista fitokan mbi 1600 dollarë në ditë nga secili që realizon normën. Po vetë minatorët ? Rreth 2 mijë lekë të reja ! Fitimi i shfrytëzuesve të pashpirt nuk do shumë mendje e kalem. Apo nuk i lënë zilet e tyre të dëgjojnë këmborët e vërteta të vdekjeve që bien me kujë e llahtari !? Gratë dhe fëmijët fatkorb me zemra të thyera, së fundi do i kenë kthyer sytë e venitur të shpresës drejt Kryeministrit që premtoi publikisht pak orë më parë në mes të Rrëshenit…Për të mbyllur këto shënime, më vijnë në ndihmë vargjet vetëtimë të Xhevos, poetit luftëtar e brengashumë : “Kaq kohë për ju pa shkruar një varg !/ Po faj keni ju, m’i keni kursyer fjalët,/ faj keni ju, tek unë s’keni ardhur:/ “Mjaft me mbledhje, lëri letrat mënjanë,/ato që s’vlejnë,/ na i jep të ndezim kaldajën !/ Si e harrove bukën e vjetër ?”…/ Po ju asnjë prej këtyre fjalëve nuk thoni,/ me heshtjen tuaj ju trishtimin ma shtoni”…
Pasqyre e nje realiteti te dhimbshem. Dhe minierat e mbetura kthehen ne arkivole te minatoreve qe per kafshaten punojne ne kushte cnjerzore. Sa minatore e kane mbyll jeten ne moshe te re. Shteti ne keto vite te dhjerokracise as fon tia dije. Te miret njerez sakrifikojne dhe ate qe kane me te shtrenjte, jeten.
Me mire se ky gazetar se pershkruuaj dot gjemen qe ka ndodh e po ndodh ne keto miniera, ku ku kane qene apo jane ato.