Berat Gjimshiti po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij. Nuk është pak që të shkosh te Atalanta si alternativa e fundit në rast “emergjence” e të shohësh veten titullar ndeshje pas ndeshje me bergamaskët që kanë ndërtuar një nga skuadrat më të mira në Itali.
Sot futbollisti shqiptar ka qenë në një takim me tifozët e Atalantës në dyqanin e klubit dhe ka shuar disa prej kurioziteteve të tyre, duke filluar nga ndeshja e fundjavës së kaluar ndaj Milanit dhe atij dueli me Piotek.
“Nuk duhet ta mendojmë më atë ndeshje, mund të bënin më mirë, por tani boll më, presim ndeshjen e radhës. Kemi zhvilluar gjithsesi një ndeshje të mirë, duke u shfaqur shumë mirë në pjesën e parë. Ata na bënë gol me një gjysmë rasti.
Nuk e prisja që Piotek të gjuante ashtu, duke goditur me të majtën. Thuajse të gjithë ndalin topin dhe kthehen, ai shënoi menjëherë. Padyshim bëri një gol të jashtëzakonshëm. A është ai lojtari më i fortë që kam mbuluar? Them se jo… tani për tani nuk di të them se kush është më i forti që kam mbuluar. U mundova që të mos e lejoja të na shënonte, por nuk ia dola dhe për këtë jam pak i inatosur”, tregoi mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare i cili është pyetur edhe për grumbullimin me përfaqësuesen.
“Kombëtarja? Do të mendoj për të nga mesi i marsit”, ishte përgjigja e futbollistit shqiptar i cili pritet të ketë një rol edhe më thelbësor në rreshtimin e kuqezinjve duke llogaritur mungesën e Mavrajt.