Liga e Kampionëve premton edhe sot emocione me dy përballjet që do të luhen në mbrëmje dhe është pikërisht kryendeshja Atletiko Madrid-Juventus, ajo e cila premton spektakël dhe gola.‘Wanda Metropolitano’, stadiumi ku edhe do të mbahet finalja e madhe e Championsit pret sot një finale të parakohshme duke qenë se të besuarit e Simeones do të përballen me një nga ekipet më në formë të momentit, që humbjet këtë sezon i ka pasur me pikatore.
Si Juventusi ashtu edhe Atletiko duhet që në këtë takim të bëjnë gjithçka për të lehtësuar punën për në ndeshjen e kthimit që luhet në Torino.
Dy skuadrat janë përballur gjithsej në historinë e tyre, vetëm 2 herë dhe bëhet fjalë për vitin 2014 ku Atletiko fitonte në shtëpi 1-0 dhe barazonte 0-0 në transfertë në grupet e Ligës së Kampionëve.
Një statistikë interesante lidhet me faktin se Altetiko Madrid ka shënuar e para gol në 6 nga tetë ndeshjet e fundit, si edhe ka arritur të fitojë 4 takimet e fundit në Ligën e Kampionëve.
Gjithashtu, Atletiko Madrid në 3 ndeshjet e fundit që ka luajtur me skuadra nga vazoja e parë siç është Juventusi në këtë fazë, ka fituar të paktën një penallti në pjesën e parë dhe e ka shënuar Grizman.
Nga ana tjetër, Juventusi ka luajtur 4 herë ndeshjen e parë në transfertë dhe të kthimit në shtëpi dhe në këto 4 raste, bardhezinjtë kanë arritur që të kualifikohen tri herë. Në gjashtë ndeshjet e fundit të luajtura nga Juventusi, janë shënuar gola të shumtë me një mesatare prej 2.5 golash për ndeshje nga të cilat, pesë ndeshje kanë pasur 3 gola.