Sevilja ka vërtetuar sot përsëri se është një eksperte e Ligës së Europës, duke eliminuar qetësisht Lacion dhe siguruar një vend mes 16 ekipeve më të mira të turneut.
Skuadra spanjolle, pasi kishte triumfuar në ndeshjen e parë në Itali, ka përsëritur një tjetër sukses edhe në fushën e vet, duke nxjerrë jashtë italianët në radhët e të cilëve Strakosha dhe në minutat e fundit edhe Durmishi, nuk arritën të bënin diferencën.
Spanjollët dominuan dhe krijuar raste që në fillimin e ndeshjes, duke vënë në vështirësi portierin shqiptar i cili u mposht që në minutën e 20 të sfidës.
Një gjuajtje e Sarabia nga jashtë zonës u grushtua nga Strakosha por Ben Jeder ndoqi aksionin dhe dërgoi pa vështirësi topin në rrjetë. Lacio u zgjua vetëm nga fundi i pjesës së parë, e ndërgjegjshme se pas humbjes 1-0 në shtëpi i duhej të bënte 2 gola që të kualifikohej.
Por italianët ishin të pasaktë para portës dhe nuk përfituan as kur u gjendën në avantazh numerik pas kartonit të kuq të Vazkez në minutën e 61.
Në fakt, 10 minuta më vonë ishte Marusiç që doli em të kuq, duke barazuar numrin e lojtarëve në fushë, ndërsa Sarabia u bë protagonist edhe në minutën e 78, duke shënuar golin që vulosi suksesin 2-0 dhe kualifikimin e mëtejshëm të Seviljes.