Tre ministra britanikë rebelohen për Brexit

23 Shkurt 2019, 15:25Bota TEMA

Tre ministra të kabinetit anglez kanë deklaruar se mund të largohen nga qeveria nëse kryeministrja e vendit, Tereza Mej, vijon t’i qëndrojë linjës së saj për të dalë nga Bashkimi Europian me çdo kusht, edhe pa një marrëveshje.

Në një editorial të përbashkët për mediet vendase Embër Rad, Dejvid Guk dhe Greg Klark bëjnë thirrje një pakt mes konservatorëve dhe laburistëve përpara votimit të parashikuar për tu zhvilluar javën e ardhshme.

Ata paralajmëruan se procesi i Brexit pa akord paraprak me BE-në do të ishte katastrofik për ekonominë, do të vinte në rrezik sigurinë e vendit dhe mund të rrezikonte ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të tensioneve mes Irlandës dhe provincës së Irlandës së Veriut.

“Është koha që shumë nga kolegët tanë konservatorë në parlament të kuptojnë se Brexit Pa Marrëveshje do të ketë pasoja shkatërrimtare. Do të ishte më mirë që ta shtynim zbatimin e Artikullit 50 dhe të vononim datën e daljes nga blloku europian përtej 29 marsit. Nëse nuk gjejmë një zgjidhje brenda së mërkurës, thjesht nuk do të kemi kohën e mjaftueshme që të hartojmë legjislacionin që na duhet.”

Deklarata e tyre vjen në një kohë kur po shtohen zërat se kryeministrja Mej mund të detyrohet të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve vendore të muajit maj, për të lejuar pasardhësin e saj që të përgjigjet për negociatat rreth Brexit.

Mbështetja e saj brenda partisë pritet të matet edhe një herë ditën e mërkurë, kur për votim në parlament do të paraqitet një amendament i laburistëve që shmang daljen e vendit nga BE në datën 29 mars të këtij viti.

Kryetarja e qeverisë do të takohet ditën e diel me figura kyç të Bashkimit Europian në një samit që mbahet në Egjipt, ku pritet të diskutojë një marrëveshje alternative për mbajtjen si më parë të kufirit me Irlandën e Veriut, edhe pse kjo kërkesë bie ndesh me sugjerimet e Bashkimit Europian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje