Flet trajneri i njohur: Ne si popull kemi nevojë për uniformën e Policisë, nuk jemi as anglez, as spanjoll, e as gjerman!
Nga Fatjon Baze
Java e 12-të e Kategorisë Superiore e planifikuar për tu zhvilluar këtë fundjavë u vendos që të shtyhej për shkak të vendimit të arbitrave. Shoqata e arbitrave vendosi që të mos dilte në fushë për të vendosur drejtësi për takimet që do të luheshin këtë javë, për shkak të incidentit që ndodhi ndaj kolegut të tyre Eldorjan Hamitit, në Kamzës.
Shoqata e Arbitrave kërkoi që të rikthehej Policia e Shtetit në stadium që të rikthehet siguria.
Një temë që ka përfshirë të gjithë opinionin futbolldashës në vendin tonë, ndërkohë që të hënën është parashikuar që këtij ngërçi t’i jepet fund pasi do të ketë një tryezë mes Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të FSHF-së, Armand Dukës.
Për të folur rreth kësaj teme si dhe të Kategorisë Superiore, Gazeta TemA, ka intervistuar një nga njohësit dhe trajnerët më të mirë të futbollit shqiptar, siç është Erenest Gjoka.
Tekniku kryeqytetas u shpreh se rikthimi i Policisë është i domosdoshëm pasi në nuk jemi as anglez, as spanjoll, e as gjerman.
Në vijim Gjoka analizon dhe dënimin e skuadrës së Kamzës për ndikimin që mund të ketë në ecurinë e garës, çfarë duhet bërë që dhuna të largohet, si dhe ekipin pretendent që mund të fitojë titullin kampion këtë sezon.
Profesor, arbirat kanë marrë një vendim për të bojkotuar kampionatin pas dhunës që iu ushtrua gjyqtarit Eldorjan Hamiti, në takimin ndaj Kamzës dhe Laçit. Si ju duket ky vendim?
Personalisht mendoj që kjo gjë është në një moment ku situata nuk është normale dhe kanë nevojë për siguri nga të gjithë aktorët. Kështu që ato kanë të drejten e tyre për vazhdimsinë e punës së tyre .
Si e shihni largimin e Policisë nga stadiumet, vendim i drejtë apo i gabuar?
Unë e kam thënë që në krye të herës që ne kemi nevojë për Policine e Shtetin, biles unë kam kërkuar që dhe të shikohet ligji për sjelljet në ambjentet e stadjumit! Unë jam kategorik që ne si popull kemi nevojë për uniformën e Policisë. Ne nuk jemi as anglez, as spanjoll, e as gjerman.
Çfarë duhet bërë që futbollit t’i kthehet normaliteti dhe dhuna të largohet?
Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin që do të thotë, që që të gjithe ne që merremi me futboll, duhet të jemi shumë më të ndershëm me njëri-tjetrin në të gjitha aspektet, sepse sa më shumë korrekt të jemi ndaj njëri – tjetrit, aq më e pastër dhe e ndershme do të jetë aktivitet i çdo klubi!
Vendimi për ndërprerja e futbollit, çfarë efekti mund të ketë te ekipet?
Në këtë moment mendoj që s’do të ndikojë në ekipet, biles mund të japi pak oksigjen për të gjithë.
Ndërkohë, Disiplina vendosi përjashtimin e Kamzës nga Superiorja. Mendoni se mund të këtë ndikim në ecurinë e kampionatit?
Gjithmonë në këto raste ekstreme ndikim ka, sigurisht nga ana psikologjike për të gjithë.
Kur kanë mbetur dhe 12 javë deri në fund të kampionatit, kë shihni si skuadrën më të favorizuar për të arritur tek titulli kampion në këtë sezon?
Kampionati po hynë dalëngadalë në fazën më të egër të garës. Personalisht mendoj që Partizani i ka mundësitë duke parë çfarë ka treguar deri më tani. Por, rruga është e gjatë, shikoj dhe Kukësin që ka një pontecial dhe cilësi në skuader, por akoma s’kane gjetur ekuilibrin e duhur për të shkuar drejt titullit.
Ndërkohë, edhe Teuta mund të shkojë rrugës deri në fund me potencialin që kanë në skuadër. Kështu që gara do të jete midis ketyre tre skuadrave dhe kush do të jetë më dinake dhe më e fortë psikologjike do të jetë kampioni i sivjetshëm! (TemA Javore)