Futbolli shqiptar dje mori një lajm të trishtë duke qenë se ikona e Tiranës dhe një nga legjendat e futbollit shqiptar, Ali Mema u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare.
Legjenda Mema që të kaluarën e tij ka arritur të lërë gjurmë si një nga mesfushorët më të dalluar të Tiranës dhe të Kombëtares shqiptare, sot përcillet për në banesën e fundit dhe në homazhet e mbajtura në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ ka pasur figura të shquara.
Ish-futbollistë, trajnerë, gazetarë, tifozë apo edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta ishin të pranishëm sot në stadiumin ‘Selman Stërmasi’ për të homazhet në nder të Memës, i cili ka arritur të lërë gjurmë në futbo9llin shqiptar dhe emri i të cilit tashmë mund të shkruhet me germa të arta në librin e historisë.
Përkrah mbështetësve të Tiranës dhe stafit drejtues bardheblu, të pranishëm ishin edhe Sulejman Starova, trajner i Laçit, Skënder Gega si trajner i Partizanit, Ardian Takaj si president i Skënderbeut apo edhe Shkëlqim Muça e Ervin Bulku të cilët kanë respektuar figurën e babait të Ardian Memës, që aktualisht drejton Tiranën.