Jari sqaron se rënia e numrit të protestuesve kundër qeverisë është taktikë e Lulit

30 Mars 2019, 19:44Antena TEMA

Rënia e ndjeshme e numrit të militantëve ngë protesta në protestë e kishte shqetësuar shumë Jarin.

Po t’i shtoje kësaj edhe shqyerjen e listës së PD, ku tani kanë filluar të zihen se kush do të hyjë në Parlament, nga ata që vijnë më poshtë, teprohej shumë dhe gjendja ngjante e pashpresë.

Por Jarin veç një herë e ka bërë nëna, dhe tamam sikur ta ketë taksur për raste të tilla.

Sepse ai nuk dekurajohet dhe dorëzohet kurrë.

Ndaj sot e pa të udhës t’u drejtohet demokratëve me mesazhin e mëposhtëm:

“Të dashur motra dhe vëllezër, Jari ju informon.

Mos u mërzisni kur të shihni se nuk do të ketë shumë protestues para Parlamentit të krimit.

Sepse është lëvizje taktike e Lulit për të kursyer energjitë.

Se në rast se do t’i nxjerrim njerëzit në të gjitha protestat, mund të na ndodhë si ata ushtarakët që u ra të fikët tek parada e 10-vjetorit të NATO-s, ca nga dielli, ca nga paushqyerja.

Ndaj kemi vendosur që njerëzit t’i ndërrojmë dhe askush të mos marrë pjesë më shumë se në një protestë në muaj.

Se siç ka thënë edhe heroi i Brrylit, Dash Shehi, “kjo qe kena nis, është një rrugë e gjatë dhe malore”.

Sepse nuk është e lehtë që të dalësh 4 deri 5 herë në muaj dhe ta rrëzosh Edi Ramën.

Vetëm djalit të Fahriut, meqë është rast i veçantë, ia kemi lejuar që ta rrëzojë çdo natë qeverinë nga protesta e “Astirit” tek “Unaza e Re”.

Dhe atij bravo i qoftë, po e bën me devotshmëri dhe përkushtim atë punë.

Kjo ka bërë që të ulen shumë kostot e protestave, ndërkohë që qeveria dhe Edi Rama duken njësoj të frikësuar si në ditën e djegies së mandateve.

Se nuk duhet të harrojmë që në partinë tonë çdo gjë bëhet falas, sepse lekët do të jepen vetëm pas fitores përfundimtare të revolucionit mbi juntën ushtarake.

Këtu përshihen edhe rrogat e administratës së PD, të cilat kanë muaj që nuk jepen, sepse kunati i Lulit ka pasur ca halle për zgjerimin e kompanisë, që do ta shtojë me mbi 100 punonjës të tjerë.

Në masat e Lulit për uljen e numrit të protestuesve ka ndikuar pak edhe tradhtia e Korab Litës, që e ka përgjysmuar sasinë e forcave të gatshme, që sillte çdo javë Xhelali nga Kamza.

Por këto janë probleme të përkohshme, të cilat do të tejkalohen shpejt.

E rëndësishme është të ruajmë forcat, që njerëzit të jenë të freskët dhe jo të lodhur në protesta.

Le të marrin shembull nga Luli që tek ajo e fundit vajti në orën 11 e çerek, kur njerëzit kishin nisur të mendonin se nuk do të vinte as këtë herë, se mund t’i kishte dalë ndonjë punë në Holandë.

Por kur ai u shfaq në mes të turmës, i la të gjithë si akullore.

Ndaj asnjë shqetësim të mos keni edhe po patë vetëm 20 veta përpara Parlamentit.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje