Tjetër medalje në Europian për peshëngritjen shqiptare, Shoraj merr medaljen e bronxtë!

11 Prill 2019, 18:05Sport TEMA

Peshëngritja shqiptare ka siguruar një tjetër medalje në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë, këtë herë me vlonjatin Krenar Shoraj i cili ia ka dalë të sigurojë një vend në podium në peshën deri në 96 kilogramë.

Shoraj niste garën me pretendime që në stilin e shkëputjes, ku bëri mirë në provën e parë ku realizoi peshën 155 kilogramë.

Por më pas ai desh të futej në zonën e medaljeve duke shtuar me 5 kilogramë peshën në shtangën e tij dhe dështoi në realizimin  e provës së dytë 160 kilogramë e më pas të tretës, 161 kilogramë, duke u renditur vetëm i 8 në këtë stil.

Ndërkohë, arma e tij më e fortë dihej që ishte shtytja dhe aty ai tregoi potencialin që ka duke realizuara me sukses peshën 195 kilogramë.

Por ai përsëri dështoi në dy provat e radhës, 200 dhe 201 kilogramë, duke mos arritur të sigurojë më shumë se vendin e tretë në këtë stil, por që gjithsesi i mjaftoi për një medalje në këtë aktivitet, që kishte qenë objektiv kryesor i shtangistit të talentuar.

Ai e mbylli dygarëshin në vendin e 6 në renditje, me 350 kilogramë në total.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje