Jari zbulon bisedimet e fshehta te pesë “xhuxhëve” në Presidencë

30 Prill 2019, 18:42Antena TEMA

Pas Samitit të presidentit Meta me të vegjëlit e opozitës, apo si i quan Jari, “pesë xhuxhët”, Jari arriti të marrë të zbardhur bisedën e tyre me presidentin, falë faktit që tekniku që regjistron bisedat është akoma ai që futi në punë, pasi ishte komshiu i vjehrrit të tij, që i pat kërkuar punë.

Pasi mori kasetën, Jari e dëgjoi me kujdes dhe vendosi të bëjë publike pjesë nga bisedat, për të mos dekonspiruar gjithë bisedën:

“Të nderuar demokratë,

Jari ju sqaron!

Nuk është  e vërtetë që “pesë xhuxhët” kanë shkuar tek presidenti për të komplotuar kundër Lulit.

Ata thjesht kanë qarë hallet e tyre dhe janë përpjekur të zbusin marrëdhëniet mes presidentit Meta dhe bashkë-shefes së opozitës, Monika.

Ja disa nga dialogjet e tyre.

Fatmir Mediu: Zoti president. Thashë ta organizojmë këtë takim, pasi situata në Shqipëri është agravuar rëndë dhe kjo po na çon drejt një humnere, dhe për këtë punë kam folur me miqtë e mi në Amerikë, dhe ata janë të shqetësuar.

Oo ashtu kam folur dhe me miqtë e mi në Europë, dhe ata janë të shqetësuar dhe duhet të bëjmë diçka, se ndryshe, si po shkojnë punët, ne do dalim jashtë loje, pasi dhe Luli nuk na ka dhënë siguri që nëse ka marrëveshje, ne do jemi përsëri në listat e PD, dhe kjo është e gjitha një problem që mund të prekë dhe themelet e demokracisë në Shqipëri.

Po ashtu, jemi të shqetësuar për marrëdhëniet e tua me zonjën Kryemadhi, pasi ato ndikojnë drejtëpërdrejtë në të adhmen e opozitës.

Ne jemi këtu t’i sheshojmë këto probleme dhe t’iu ndihmojmë ta kapërceni këtë krizë.

Agron Duka: Tani Liro, ti e shef si shkoi kjo punë.

Unë jam dhe tregtar dhe nuk më ka lezet të ankohem që dolëm të humbur nga ky pazar, por tani mo i kam hy detit në këmbë, s’kam ça bëj.

Shif bë diçka, të bëjmë sikur kapëm noj gjë, e të futemi në valle prapë, se vallai më duket shkum për lesh.

Dash Shehi: Tani mo kjo punë e zgjedhjeve iku, kot e qajmë e kot e diskutojmë.

Dhe kjo punë e këtyre budallëve që kemi fut në listë na e qiti bojën mo, ene s’kemi sy e faqe me u tall me Ramën për këtë punë, pse janë fut në Parlament, se ne ja kena çu në tepsi gati.

Tani të shofim ça do bëjmë për zgjedhjet parlamentare, a do jena në lista të PD a jo, e si do shkojë kjo punë, me diskutu si burrat.

Ndryshe të ikim në shpi e ta shtyjmë si e kemi shtyrë mo, se s’qeka kismet për ne kjo punë.

Vangjel Dule: Unë mendoj se këtë kushtin që Rama të mos jetë në tryezë dhe mund ta zbusim, mjafton që të mos jetë Shpëtim Idrizi, se pastaj mua më tërheqin vërejtje dhe dal nga tryeza.

Për të tjerat mirë është të diskutojmë seriozisht, se nëse ndryshon sistemi, të përcaktohet se si do dalim ne deputetë.

Ndryshe mirë është ky sistem që është, pasi së paku këtu vërtet s’del deputet nga pakica greke, por të nxjerrin shqiptarët.

Nard Ndoka: Fillimisht dua të ndalem tek problemi i LSI me presidentin.

Unë mendoj që presidenti duhet të pajtohet me LSI dhe të zbusin gjakrat.

Të gjithë kemi sherre në familje, por vjen një moment që ulemi dhe pajtohemi.

Unë e kuptoj që ai është i paanshëm, por tek LSI duhet bërë një lëshim.

Nga ana tjetër, kam marrë vesh një gjë të rëndë, që po nuk morëm pjesë në zgjedhje, ne nuk fitokemi bashki.

Kjo punë duhet sqaruar mirë, se nëse është kështu, atëhehere duhet të futemi në zgjedhje.

Presidenti Meta: Tani jam më i qartë për kërkesat tuaja.

Unë do bëj çdo përpjekje që kam mundësi, të ul gjakrat me LSI, por dhe ju duhet t’i flisni Monikës.

Pas kësaj, duhet të shkojmë drejt unitetit kombëtar opozitar.

Po arritëm këtë, pastaj qeverinë e kemi të lehtë për ta rrëzuar.”

1 komente në “Jari zbulon bisedimet e fshehta te pesë “xhuxhëve” në Presidencë”

  1. Pokeristi says:

    Tallni menderen mendere “opozitare”.Por kete rradhe po menderosni vehten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje